Të paktën 16 persona janë vrarë në qytetin e Port Said në Egjipt si pasojë e protestave të cilat shpërthyen pas vendimit të një gjykate për dënimin me vdekje të 21 personave të akuzuar për dhunë gjatë një ndeshjeje futbolli. Sipas informacioneve mbi 200 persona të tjerë janë plagosur. Dënimet me vdekje, të anoncuara në televizione, janë të lidhura me dhunën e shpërthyer në Port Said më 1 shkurt 2012 pasi skuadra al Ahly mundi skuadrën vendase, dhunë pas së cilës u numëruan 74 të vdekur. Vendimi i gjykatës u prit me thirrje gëzimi nga pjesëtarët e familjeve të viktimave, të cilët ishin të pranishëm në sallën e gjyqit, në Kajro. Dënimet duhet të konfirmohen nga myftiu i madh dhe mund të apelohen, ndërsa për 52 të akuzuar të tjerë, përfshi këtu 9 oficerë, vendimi do të jepet në mars. Mbështetës të Al Ahly dhe Al Masry besojnë se mbështetës të regjimit të Hosni Mubarak ishin shtytës të dhunës në stadium ndërsa akuzojnë policinë për neglizhencë.