Partia Demokratike edhe nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm, Arben Ristani, ka akuzuar qeverinë Rama-Meta se kanë mbajtur peng Mark Frrokun duke i dhënë imunitet e mbrojtje në kundërshtim me ligjin, derisa ai dha deponimin në favor të Ilir Metës.Sipas PD-së, më 8 janar të këtij viti, ka mbërritur në Tiranë, dokumenti i Interpol Belgjikës për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të deputetit Mark Frrokut, për akuzat e drejtësisë belge për vrasje.
“Më 23 janar, Interpol i Brukselit, ka sjellë material shtesë duke ripërsëritur kërkesën për kërkimin dhe kapjen e Mark Frrokut. Sërish, zyrtarët e Edi Ramës nuk kanë bërë asnjë veprim. Vetëm më 18 mars, pasi Mark Frroku e kishte dhënë dëshminë në prokurori në favor të Ilir Metës, lidhur me akuzat ndaj tij, për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, policia shqiptare ka aktivizuar shkresën për kërkim ndërkombëtar të deputetit të mazhorancës”, ka thënë Ristani.
Ai tha se edhe ndalimi i zyrtarëve të Interpol Tirana “është një përpjekje e turpshme dhe e dëshpëruar, për të nxjerrë të larë, autorët e vërtetë të bllokimit të urdhërit të Interpol Brukseli, që janë Edi Rama dhe Ilir Meta.”
“Ky është një akt kriminal, i padëgjuar më parë, për të cilin ka përgjegjësi dhe duhet të mbajë përgjegjësi të drejtpërdrejtë Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm. Ne kërkojmë llogaridhënie të plotë për bllokimin e urdhrit të Interpol Brukselit. Ne i kërkojmë Prokurorit të Përgjithshëm të nisë një hetim të shpejtë e të thellë për të vënë urdhëruesit e fshehjes së kërkesës së Interpol Brukselit, para drejtësisë. Ne inkurajojmë partnerët tanë europianë, palën belge të nxisë transparencë dhe të kërkojë zbardhjen e kësaj ngjarjeje kriminale. Me këtë akt, Edi Rama i ka futur duart thellë në procesin e hetimit të ortakut të tij Meta, dhe kësaj radhe nuk do t’ia hedhë. Kjo është një sprovë për ligjin, për drejtësinë, për demokracinë për vendin tonë, që s’mund të mbahet peng i skemave kriminale të Edi Ramës dhe Ilir Metës.”