Të revoltuarit ndaj “Top Awards” kanë qenë të shumtë, në finalen e mbajtur mbrëmjen e djeshme në Pallatin e Kongreseve. Ende pa filluar mirë, batutat e Ledionit ndaj Noizy-t bënë që ky i fundit të shpërthente në deklarata të forta. Revoltë ka pasur edhe gjatë eventit. Të pranishmit pohojnë se Alban Ramosaj, pas përfundimit të performancës së tij, ka hedhur i acaruar mikrofonin në tokë, në shenjë proteste. Këngëtari ishte nominuar në disa kategori, por nuk ka mundur të bëjë të vetën asnjë kupë. Mendohet se ky veprim ka qenë një lloj reagimi pikërisht ndaj faktit që nuk mori asnjë çmim. Pak minuta pas përfundimit të eventit, si për të justifikuar veprimin e tij, Albani ka shkruar në Instagram se e ka marrë mikrofonin në dorë vetëm për hatër të atyre që kishin ardhur për ta dëgjuar. “Sot e kam kapur mikrofonin me dorë vetëm për hatër të atyre që kishin ardhur për mua. Ju falënderoj ju që më mbështesni dhe të gjithë artistët që më suportuan”.