E majta unifikon 61 kandidatët për zgjedhje vendore, Veliaj takohet me Majkon

Kandidatët e Partisë Socialiste dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim në zgjedhjet lokale të 21 Qershorit kanë zhvilluar një takim të përbashkët me dy kryetarët, Edi Rama dhe Ilir Meta, si dhe të gjithë ministrat e kabinetit qeveritar.
Pas mbledhjes, zëvendëskryeministri Niko Peleshi theksoi se në takim nuk është diskutuar për detaje, por synim mbetet zhvillimi i një fushate me tone pozitive dhe qytetare.
“Ky ishte takimi i parë unifikues i 61 kandidatëve tanë për zgjedhjet. Kandidaturat e koalicionit të zgjeruar do të futen në fushatë me një frymë pozitive, larg toneve të ashpra politike, por duke bërë apel për transformim urban të bashkive”, tha Peleshi.
Menjëherë pas mbarimit të takimit të kandidatëve të PS-së dhe LSI-së për zgjedhjet lokale të 21 Qershorit, Kryeministri Edi Rama ka shkruar në Tëitter.
“Gati për një fitore shembullore të politikës së njerëzve me njerëzit e për njerëzit ndaj politikës së sherreve e shpifjeve”, ka shkruar Rama në profilin e tij.
Ndërkaq mësohet se po sot, kandidati i së majtës për Bashkinë e Tiranës, ministri Erjon Veliaj është takuar me deputetin socialist Pandeli Majko.
Në fokus të kafes së punës mes Veliajt dhe deputetit Majko ishte organizimi i fushatës elektorale dhe eksperienca që zoti Majko posedon në këtë aspekt.
Mësohet se Majko ka dhënë mbështetje të plotë për kandidaturën e Veliat ndërsa është angazhuar që sëbashku të punojnë për fitoren më 21 qershor dhe kthimin e bashkisë qytetarëve.

Advertisement