Pas një viti nën shqyrtim gjyqësor, kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu dhe dy zyrtarë të tjerë të kësaj bashkie u konsideruan fajtorë nga Drejtësia, për abuzimet me tenderët e rrugëve në këtë njësi vendore.
Xhelal Mziu u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë me dy vjet burgim, ndërkohë që po për 6 muaj iu hoq e drejta për të ushtruar funksione publike. Dy të pandehurit e tjerë të kësaj bashkie, Atli Hoti dhe Bujar Loshi, u dënuan me 6 muaj heqje lirie.
Ky vendim vjen një ditë pasi Partia Demokratike kandidoi Xhelal Mziun, për të garuar në zgjedhjet vendore 2015 për kryebashkiak të Kamzës, detyrë që ai e mban prej tre mandatesh. Për shkak se ky vendim është i shkallës së parë dhe jo i formës së prerë, ka shumë mundësi që policia mos ta ekzekutojë arrestimin e tij, çka do të thotë se do të pritet edhe vendimi i Apelit.
Ky vendim vjen pas më shumë se 30 seancave debati gjyqësor mes palëve, ku nga njëra anë, Prokuroria kërkoi 3 vjet burgim për Mziun, për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkeljes së barazisë në tenderë”, ndërkohë që për Hotin dhe Loshin kërkoi nga një vit heqje lirie, për të njëjtat dyshime.
Nga ana tjetër, të pandehurit këmbëngulën në pafajësi, pasi sipas tyre kjo dosje nuk ka elementë të përgjegjësisë penale, por administrative. Organi i akuzës pretendoi gjatë procesit penal se, kryebashkiaku Xhelal Mziu kishte vepruar në shkelje të ligjit gjatë tenderimit për rikonstruksionin e 7 rrugëve të njësisë vendore që ai administron.
Çështja u zbulua pas kallëzimit të firmës “Gjoka”, e cila vuri në lëvizje organet e hetimit, pas pretendimeve të kësaj shoqërie se ishte skualifikuar pa të drejtë nga tenderi, pavarësisht ofertës së ulët me të cilën kishte garuar.
Nga veprimet hetimore, sipas prokurorisë, gjithashtu në këtë çështje i ishte shkaktuar dëm ekonomik edhe shtetit, pasi në procedurën e tenderimit ishte pranuar oferta më e lartë e një firme tjetër. Sipas të njëjtit qëndrim, në një rast kishte fituar tenderin, por ishte shmangur gjatë vitit 2013 për të lidhur një kontratë, në mënyrë që të fillonte punimet, ndonëse disa herë ishte tentuar të komunikohej me dy të bashkakuzuarit dhe me Mziun. Nga veprimet hetimore rezultoi se, pavarësisht që firma në fjalë ishte shpallur fituese, punimet i ishin besuar një firme tjetër.
Arrestimi i kryebashkiakut të Kamzës në fund të 2013-s u shoqërua me bujë, ndërkohë që Gjykata e Apelit e liroi nga paraburgimi, ku edhe qëndroi për 24 ditë, duke e konsideruar arrestimin e tij të panevojshëm, pasi nuk ekzistonin rrethanat e duhura.