Dy atentate në Tiranë, 1 i vdekur e 4 të plagosur

Një i vdekur dhe katër të plagosur është bilanci i dy atentateve që tronditën kryeqytetin në orët e mbrëmjes të së hënës, në dy ngjarje të njëpasnjëshme brenda një harku kohor të pak minutave.

Në atentatin e Rrugës së Kavajës humbi jetën si pasojë e shkëmbimit të zjarrit mes dy grupeve rivale Arianit Sterjo me emrin e ndryshuar në Artur Baze, dhe u plagosën Pajtim Seriani dhe Roland Meta, ky i fundit efektiv policie. Ndërsa në atentatin e dytë pranë Qafë-Kasharit, mbetën të plagosur Emiljano Shullazi dhe shoku i tij Gilmando Dani, emra këta të njohur për drejtësinë shqiptare. Makina me të cilën udhëtonin u qëllua me breshëri automatiku ndërsa ktheheshin nga Rinasi, nga persona ende të paidentifikuar. Sipas grupit hetimor, në atentatin e parë gjithçka ka ndodhur në orën 19:40 të së hënës në harkun e 8 minutave nga shkëmbimi i zjarrit midis dy grupeve rivale në rrugën “Islam Alla” e që më pas u zhvendos në rrugën “Him Kolli” pranë Kishës Katolike në Rrugën e Kavajës. Fillimisht Artur Baze dyshohet se ka qëlluar me pistoletë ndaj Pajtim Serjanit, Denis Ramanit, Ditmir Reçit dhe efektivit Roland Meta, në tentativë për t’i vrarë ata, por pa mundur të realizojë planin e tij. Pasi ka qëlluar në ambientin e lokalit ku ndodheshin shtetasit e mësipërm, Baze është larguar në drejtim të rrugicës “Him Kolli” për të humbur gjurmët, por i ndjekur nga këta të fundit dhe në një shkëmbim zjarri, ai ka mbetur i vrarë. Sipas policisë së Tiranës ekzekutimi i tij dyshohet të jetë kryer nga efektivi Roland Mete, i cili ka ndërhyrë në sulmin me armë, nga ku mbeti dhe vetë i plagosur rëndë. Policia bëri arrestimin në flagrancë të efektivit Meta, pasi mbetet e paqartë prania e tij në skenën e krimit, paçka se zyrtarisht policia sqaron se ai nuk ka qenë në orarin e punës apo i përfshirë në operacionin e atentatit në rrugën e “Islam Alla”.
Në një kohë kur efektivët e Policisë së Tiranës ishin të fokusuar në zbardhjen e dinamikës së ngjarjes me një viktimë e dy të plagosur në harkun kohor të pak minutave salla operative do të raportonte një atentat në Qafë-Kashar në rrugën Tiranë-Rinas, ku i plagosur mbeti Emiliano Shullazi. Fillimisht u raportua se Shullazi udhëtonte i vetëm në automjetin tip Golf me targa AA 669 HR, ndërsa vetëm mëngjesin e kësaj të marte policia konfirmoi dhe të plagosurin e dytë nga breshëria e automatikut. I plagosur sipas policisë mbeti edhe Gilmando Dani, i cili ka qenë duke udhëtuar me Shullazin në të njëjtin automjet. Policia tha se në atentatin ndaj Shullazit dhe Danit kanë qenë dy automjete të cilat i kanë ndjekur ata dhe më pas kanë qëlluar me breshëri 20 herë ndaj tyre. Aktualisht Shullazi dhe Dani janë jashtë rrezikut për jetën në Spitalin e Traumës, ndërsa për grupin hetimor ende autorët e kësaj ngjarje mbeten mister. Blutë e Tiranës, të cilët ende nuk kanë dhënë një version zyrtarë për ngjarjen, deklarojnë se shkëmbimi i zjarrit ku humbi jetën Baze nuk ka asnjë lidhje me pritën ndaj Shullazit dhe shokut të tij Gilmando Dani.

Advertisement