Durrës – Veliaj, të zgjedhim një qeveri që të punojë për ne

“G99 beson se problemet e peshkimit janë të lidhura sot jo vetëm me uljen e akcizës së naftës por mbi të gjitha me krijimin e një vizioni të qendrueshëm se si kjo degë e ekonomisë shqiptare duhet të zhvillohet duke u mbështetur e jo duke u lënë në mëshirë të detit dhe të fatit”, u shpreh Veliaj. “Tashmë ka ardhur koha që të ndërtojmë bashkarisht politikat që do na drejtojnë drejt zhvillimit. Nuk ka pse shqiptarët të votojnë sërish një qeveri që jo vetëm nuk u zgjidh problemet e tyre, por përkundrazi, si në rastin e peshkatarëve, u hap probleme pafund” shtoi më tej kreu i G99. “Sot kemi shansin që mos negociojmë, mos protestojmë kundër qeverisë por të zgjedhim vetë një qeveri që punon për ne. Të zgjedhim një qeveri që të hapi derën dhe jo ata që ta mbyllin derën. Ata që do ti hapin veshët dhe jo ata që do ti mbyllin veshët. Deri më sot kemi patur një qeveri që as derën nuk e hap, as sytë nuk i hap, as veshët nuk i hap e as mendjen nuk e hap. Një nga gjërat që këmi kërkuar edhe në koalicionin ku bëjmë pjesë, është që qeveria e re të zgjidhë menjëherë punën e aksizës së naftës.” Gjatë këtij takimi Veliaj shoqërohej nga disa prej kandidatëve për deputetë në Qarkun e Durrësit. Milva Ekonomi, që kryeson listën e G99 në këtë qark, theksoi se në qeverinë e ardhshme peshkimi do të ketë një vend të rëndësishëm në procesin e zbatimit të politikave për zhvillimin ekonomik. Një prej kandidatëve kryesorë të G99 në Durrës, Klodjan Kapiti, është gjithashtu përfaqësues direkt i bizneseve të vogla të peshkimit në Durrës. I pranishëm në këtë takim, ai u bëri thirrje kolegëve të tij që të votojnë G99, pasi kjo është e vetmja forcë politike që ka menduar për problemet e tyre dhe për zgjidhjen e tyre.

Advertisement