Durrës – Rama, në 28 qershor zot i Shqipërisë do të jetë populli shqiptar

E diela e 28 qershorit tha lideri socialist është dita e madhe e bashkimit të gjithë shqiptarëve në një flamur të vetëm. Rama bëri thirrje që me votë të vulosim të dielën bashkimin për fatin e familjeve dhe fëmijëve të këtij vendi dhe të lemë pas paragjykimet e se shkuarës. 28 qershori për kreun e selisë rozë nuk është beteja mes socialistëve dhe demokratëve por beteja për të mbyllur një epokë. “Kjo nuk është beteja mes socialistëve dhe demokratëve të thjeshtë dhe të ndershëm të këtij vendi. Kjo është beteja për të mbyllur një botë dhe për të hapur një botë të re. Kjo është beteja mes një kastë të vjetër e cila kërkon ta mbaj peng, sic na ka mbajtur 18 vite me radhë. Në emër të një populli të tërë që duan të ndërrojnë faqen e historisë për të shkruar një histori të re”, tha Rama. Nga qyteti i Durrësit Rama premtoi legalizimin e plotë të banesave në zonën e ish Kënetës që kjo zonë sic u shpreh ai mos të quhet më Kënete, por një lagje e integruar e Durrësit “Në 4 vitet e ardhshme ne do të bëjmë për Durrësin sa nuk është bërë në 18 vite të marra sëbashku. Unë jam këtu për tju thënë se pas 4 vitesh ajo Këneta e një politike të vjetër, ku një popull i tërë të ardhurish për një jetë më të mirë, nuk do të jetë më Këneta e Durrësit, por do të jetë një lagje e integruar e Durrësit”, tha Rama. Rama garantoi se Partia Socialiste në qeverisje cdo vendimmarrje do ta marrë duke u konsultuar me qytetarët. PS-ja në qeverisje tha kryetari i saj do të mirëpresë cdo investim të huaj, cdo biznes që garanton standarde. “Në 28 qershor, Durrësi do të ketë zot dhe ky do të jetë populli i Durrësit, në 28 qershor Shqipëria do të ketë zot dhe ky do të jetë populli i Shqipërisë. Do të jetë një qeveri e cila do ti mirëpresi të gjitha investimet e huaja. Ne do ti ndërtojmë fabrikat, ne do ti ndërtojmë TEC-et. Ne do ti ndërtojmë të gjitha ato që duhen për të rritur prodhimin dhe industrinë ekonomike, por në asnjë rast kjo nuk do të bëhet jashtë standardeve europiane”, theksoi Rama. Pjesëmarrësit e mbledhur në shesh i janë bashkuar thirrjes së përbashkët të Kryesocialisti duke numëruar ditët e mbetura deri në fitoren e socialistëve.