Prefekti Genc Alizoti tha se pas kontrolleve të ushtruara ditët e fundit janë gjobitur me shumën 1.3 milion lekë dy subjekte private në gjirin e Lalzit, si dhe janë konstatuar 9 subjekte pa lejen mjedisore përkatëse. “Sot në mbrëmje do të bllokohen dy nga lokalet në mjedise të hapura, që nuk kanë lejen përkatëse dhe shkaktojnë ndotje akustike tej çdo norme të lejuar, duke prishur imazhin e plazhit më të madh të vendit”, tha më tej prefekti Alizoti, specialistët e të cilit do të koordinojnë veprimtarinë e institucioneve të ngarkuara nga ligji. “Aparaturat sonometër, të cilat do të mbërrijnë nesër nga Institucioni i Shëndetit Publik, do të lehtësojnë përcaktimin e nivelit të zhurmave akustike në të gjitha lokalet e Durrësit dhe gjirit të Lalzit”, u tha në takim, ndërsa veprimtaria e tyre do të kryhet vetëm në oraret 19.00-24.00 në fundjavë dhe 30 minuta më pak në ditët e tjera të javës. Prefekti tha se Task Forca do të jetë e ashpër edhe me punonjësit e institucioneve që nuk kryejnë detyrat e Aktit Normativ, pasi sipas tij, qytetarët përveç argëtimit kanë të drejtë të pushojnë pa efektet negative që krijojnë zhurmat.