Durrës | Kryeministri Berisha: të rinjtë janë prioritet për PD-në

Gjatë një takimi me akademikë të Universitetit të Durrësit kryeministri Berisha deklaroi se “Punësimi i të rinjve dhe kualifikimi i tyre do të jenë në epiqendër të punës së Partisë Demokratike për 4 vitet që do të vijnë”. Kreu i qeverisë tha se, “për ne si forcë politike, të rinjtë kanë qenë dhe do mbeten në krye të axhendës sonë. Ne kemi krijuar kushtet që secili prej tyre të ndjekë universitetin, i dhamë fund arbitraritetit zyrtar për ëndrrën e tyre universitare. Çdo i ri do të ketë të drejtë për ta bërë këtë ëndërr realitet, por ky është një hap, hapi tjetër është që çdo i ri duhet të ketë të drejtë të ndërtojë projektin e së ardhmes dhe në këtë kontest ne do bëjmë gjithçka për krijimin e vendeve të punës, për përshtatjen e forcave të punës me tregun”. Kryeministri Sali Berisha ka vizituar edhe shkollën e mesme profesionale “Beqir Çela”, në rrethin e Durrësit. Pasi vizitoi disa prej kabineteve dhe reparteve ku nxënësit zhvillojnë praktikën mësimore, shefi i qeverisë tha se arsimi profesional është një nga fushat më të rëndësishme në sistemin tonë arsimor. Gjithashtu, ai vlerësoi edhe kombinimin që është bërë ndërmjet shkollës së mesme dhe Universitetit të Durrësit. “Duhet të bëjmë gjithçka, – tha Kryeministri, – që këtë kombinim ta shtrijmë në të gjitha universitetet e tjera”. Kryeministri Berisha theksoi se duhet të bëhet gjithçka për t’i tërhequr edhe më shumë nxënësit në këto shkolla, për t’i ndërgjegjësuar ata se është interesi i tyre më i mirë.

Advertisement