Pas inaugurimit të një shkolle në periferinë e Durrësit, kryeministri u kërkoi kryetarëve të komunave të zbatojnë me korrektësi vendimin e qeverisë për skemën e rimbursimit të kategorisë që merr ndihmë sociale. “I bëj thirrje autoriteteve lokale të blejnë kuponin e letërnjoftimit për të gjithë qytetarët që janë me ndihmë ekonomike. Qeveria për secilin prej tyre do të paguajë 10 mijë lekë”, ka deklaruar Berisha. Për këtë shtresë dhe për pensionistët, letërnjoftimi do të kushtojë 200 lekë të reja, por ndryshe nga ata që marrin ndihmë sociale, pensionistët do të rimbursohen më 1 maj. “Iu bëj thirrje pensionistëve të marrin letërnjoftimet. Qeveria më 1 maj, përvec shtesës së madhe të pensioneve do vendosë 10 mijë lekë shtesë për kartën e identitetit”, ka sqaruar kryeministri. Përvec zgjedhjeve, pajisja me dokumentat e reja të identitetit, sipas kryeministrit Berisha, ka rëndësi kryesore edhe për liberalizimin e vizave. “Le të marrim letërnjoftimet dhe pasaportat biometrike dhe unë premtoj se vizat do të hiqen dhe do lëvizim të lirë në të gjithë Evropën”, ka theksuar Berisha. Sipas kryeministrit Berisha, mentaliteti dhe standartet europiane mund të arrihen nëpërmjet dijes dhe për këtë arsye ai tha se gjatë këtij mandati arsimimi, ndërtimi i shkollave të reja, kabinetet informatike dhe interneti në shkolla kanë zënë vënd të rëndësishëm të punës së qeverisë. Shkolla profesionale industriale në Shkozet me 500 nxënës dhe konviktet e saj ku janë investuar 60 milionë lekë, është vleresuar si model për arsimimin profesional të të rinjve.