Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi dhe komandanti i Komandës së Forcës Detare, gjeneral brigade Qemal Shkurti ka bërë një vizitë në anijen franceze FASM “Jean de Vienne”, e cila është ankoruar në Portin e Durrësit. Gjatë kësaj vizite ishte e pranishme edhe ambasadoria e Republikës së Francës në Tiranë, Christine Moro, si dhe autoritete të pushtetit vendor. Ministri i Mbrojtjes Imami, duke marrë fjalën gjatë kësaj vizite, ka theksuar se, “jemi shumë të lumtur që sot vizitojmë fregatën franceze, e cila, në kuadër të bashkëpunimit midis FA Shqiptare dhe atyre franceze, ndodhet sot këtu në Portin e Durrësit. Ne kemi bërë shumë progres në forcimin e marrëdhënieve midis ministrive të Mbrojtjes të të dy vendeve tona dhe kemi pasur një bashkëpunim të suksesshëm midis FA Shqiptare dhe atyre franceze”. Me këtë rast, ministri Imami ka falenderuar ministrin e Mbrojtjes së Francës dhe ambasadoren franceze në Tiranë për gjithë mbështetjen që kanë dhënë për FA Shqiptare dhe shprehu bindjen e tij se edhe vizita portuale e fregatës “Jean de Vienne” dhe stërvitja që do të zhvillojë kjo anije me anijen tonë “Iliria” do të shënojë një tjetër sukses në marrëdhëniet dhe bashkëpunimin midis dy vendeve dhe dy forcave tona të armatosura. Fregata luftarake franceze (FASM), “Jean de Vienne” është ankoruar mëngjesin e të martës në portin e Durrësit dhe ndodhet në vendin tonë në kuadrin e një vizite portuale. Vizita partuale e fregatës “Jean de Vienne” do të përfundojë më datë 7 mars 2013. Gjatë këtyre ditëve, përveç stërvitjes së përbashkët midis kësaj anije dhe anijes “Iliria” P-131, do të bëhen vizita në bordin e anijes franceze nga efektivë të Forcave Detare, vizita kulturore të personelit të fregatës franceze në Portin e Durrësit etj.