Durrës | Ahmetaj:Lehtësi ligjore për të gjitha bizneset prodhuese

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, siguroi sot drejtuesit e sipërmarrjeve fasoniste se “përmes një pakete të plotë ligjore, do të kenë mbështetjen e plotë të Qeverisë”. Gjatë një vizite që Ahmetaj zhvilloi të premten në ndërmarrjen e konfeksioneve “Ambra shpk”, në qytetin e Durrësit, bisedoi me përfaqësues të fasonistëve të rrethit bregdetar. Pas vizitës, ministri Ahmetaj u shpreh për mediat e pranishme se “vendimi i pardjeshëm i Qeverisë, i jep mundësinë bizneseve prodhuese vendase dhe të huaja që të marrin hapësira të aseteve publike me qira një euro në vit”. Sipas Ahmetajt, kjo është një filozofi për thithjen e investimeve vendase dhe të huaja, pasi ekonomia shqiptare ka shumë nevojë për vende të reja pune. Duke folur për detajet e këtij vendimi, Ahmetaj bëri të ditur se paketa e re ka edhe elementin e rimbursimit automatik të TVSH-së, një problem që fasonistët, sipas tij, e kanë patur prej kohësh. “Edhe ndihma për punonjësit e marrë rishtas në punë, është një element që e kthen atë që në fillim në një të punësuar me kohë të plotë”, tha Ahmetaj. “Të gjitha këto e sjellin industrinë prodhuese në një nivel të ri edhe për punësimin. Ne kemi përfunduar dje përgatitjen e një CD me inventarin e plotë të aseteve, të cilat u ofrohen të gjithë investitorëve në fushën e prodhimit”, informoi ministri Ahmetaj. Duke vlerësuar punën e fasonistëve dhe të punonjësve në këto ndërmarrje, ai tha se është kënaqësi të shohësh prodhime që i gjen në tregjet më të sofistikuara të botës, të cilat mbajnë stampën “Made in Albania”. Kjo është një mënyrë për të thithur investitorë të tjerë dhe për të përmirësuar kështu edhe imazhin e Shqipërisë në botë. Në qarkun e Durrësit dhe Krujës ushtrojnë aktivitetin prodhues më shumë se 100 ndërmarrje fasoniste, ku janë punësuar të paktën 10 mijë persona.

Advertisement