Dritan Prifti: Nga kontrata me DIA-n ka përfituar Meta. LSI-ja, si grua me dy burra

Pas dëshmisë së dhënë në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, Dritan Prifti u ndal gjatë para mediave, duke thënë se është i gatshëm të ndihmojë qeverinë në Arbitrazh dhe se nga kontrata CEZ-DIA kanë përfituar njerëz të afërt me Ilir Metën.

“Nga kontrata kanë përfituar politikisht njerëz të afërt të zotit Meta. Paratë e DIA-s kanë shkuar te miqtë e njohur të Metës. Ka media që nuk kanë pranuar të publikojnë filmimet që unë i kam me vete në USB. Unë nuk flas kot dhe nuk bëj deklarata pa prova”, tha Prifti.

Advertisement

Më tej, Prifti shtoi se “LSI-ja është bërë si ajo gruaja që është martuar për herë të dytë, por që shkon ende me burrin e parë”.

“Kjo qeveri është e destabilizuar, nuk e kam destabilizuar unë, siç thotë Braho. Njerëzit në këtë vend nuk kanë bukë dhe dhunohen me taksa e gjoba. Deri sa të kem jetë, unë do të denoncoj gjithçka që ka lidhje me vjedhjet e qeveritarëve në këtë vend”, deklaroi Prifti.