Kushtetuta e re i ngarkon institucionit të Presidentit edhe zgjedhjen me short të anëtarëve të Këshillit të Emërimeve. Neni përkatës përcakton që brenda 5 ditëve Presidenti duhet të zgjedhë përmes shortit, organin që do të merret me përzgjedhjen dhe seleksionimin e kandidaturave të Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Por Presidenti Bujar Nishani ka gjetur një kundërshti, sipas tij në të njëjtin nen.
“Neni 149/d, përcakton në pikën 3 që Këshilli i Emërimeve përbëhet nga 9 anëtarë që zgjidhen me short nga Presidenti brenda pesë ditësh nga hyrja në fuqi, ndërsa pika 5 përcakton që kriteret e tjera për shkallën e kualifikimit të kandidatëve parashikohen me ligj. Pra Presidenti ndodhet në një situatë kur Kushtetuta i kërkon të zgjedhë dhe po Kushtetuta i kërkon që kriteret e atyre që kandidojnë përcaktohen me ligj, ndërkohë që nuk kemi ligj ende për këtë”, tha Nishani.
Presidenti tha se për këtë situatë ka informuar edhe Parlamentin dhe shprehu gatishmërinë që kjo problematikë të gjejë zgjidhjen më të mirë të mundshme.
Kushtetuta e re hyn në fuqi më 11 gusht dhe Presidenti ka kohë deri më 16 gusht që të përzgjedhë me short nëntë anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Por nëse shkelet ky afat e drejta e zgjedhjes së anëtarëve i kalon kreut të Kuvendit me dyfishin e afatit kohor.