Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka depozituar në prokurori dosjen e plotë të privatizimit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë, duke kallëzuar penalisht 3 ish-ministrat Genc Ruli, Ridvan Bode dhe Florion Mima, 2 ish-zv/ministrat Enno Bozdo dhe Neritan Alibali, këshilltaren e ish-kryeministrit Berisha, Suzana Guxholli, ish-drejtoreshën e shërbimeve tregtare në METE, Mimoza Vokshi dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Pas një auditimi të detajuar të dokumentacionit të administruar pranë ministrisë, por edhe atij të vënë në dispozicion nga institucione të tjera të rëndësishme, Ministria e Energjisë pretendon se procesi i privatizimit është kryer në kundërshtim të hapur me aktet ligjore e nënligjore në fuqi, se ka qenë një proces fiktiv me fitues të paracaktuar, çka i ka shkaktuar shtetit një dëm prej 414 mln euro, ose mbi 57,9 mld lekë.
Në dosje janë përshkruar në detaje mënyra dhe aktivitetet që kanë shkaktuar këtë dëm. Vlera më e madhe e dëmit, 22.8 miliardë lekë është shkaktuar, sipas Ministrisë së Energjisë, nga ngritja e çmimit me pakicë te energjisë, 13.6 mld lekë si pasojë e rivlerësimit të borxhit të keq, ndërsa 8.8 mld dëm i shkaktuar për efekt të ndryshimit të tarifës së shitjes së energjisë në vitet 2012-2014.
Po ashtu, sipas ministrisë, dëmi është shkaktuar edhe nga falja e detyrimeve për kredi afatgjata, në ndryshimin e tarifës së shitjes së energjisë në vitin 2011, si dhe një detyrim i paqenë, i pranuar nga KESH.
“Ish-ministri në ish-METE, Genc Ruli dhe ish zv.ministri Neritan Alibali janë kallëzuar për veprimet dhe mosveprimet në kundërshtim me përmbushjen e detyrave gjatë procedurave të tenderimit dhe negocimit për shitjen e 76 % të aksioneve të OSSH-së. Ish-zv.ministri Enno Bozdo është kallëzuar pasi ka propozuar akte nënligjore, në kompetencë të institucioneve të pavarura rregullatore, si dhe për veprimet e kryera gjatë heqjes së liçencës së CEZ Shpërndarje. Ish-drejtorja e Shërbimeve Tregtare, Vokshi është kallëzuar lidhur me përgatitjen e paketës së OSSH për privatizim. Ndërsa ish-ministri Bode dhe ish-këshilltarja Guxholli, pasi në vitin 2012 kanë hyrë në proces për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjeve rregullatore të lindura midis kompanisë dhe ERE, duke ushtruar ndikim të paligjshëm për vendime jashtë kompetencave të tyre. Për ish-ministrn Mima, kallëzimi është depozituar për kryerjen e veprimeve e mosveprimeve në kundërshtim me detyrën për ndjekjen e procedurave pas heqjes së liçencës së CEZ Shpërndarje”, thuhet në dosje.
Ministria e cilëson procesin e privatizimit të OSSH një nga proceset më abuzive të kryera nga qeveria e asaj kohe, çka i ka garantuar shoqërisë fituese të tenderit, CEZ A.S. përfitime materiale të padrejta, duke dëmtuar rëndë interesat e ligjshme të shtetit, të personave të tjerë juridikë dhe mbi të gjitha të konsumatorëve shqiptarë.