DokuFest- Kumbaro: Një realitet i rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët

Programi i plotë i edicionit të 14-të të festivalit të filmit DokuFest, i cili do të mbahet nga data 8 -16 gusht në Prizren, Kosovë, u prezantua sot në Tiranë, përmes një konference për shtyp.

Organizatorët e DokuFest do të qëndrojnë sot në Tiranë për shfaqjen e një programi të vogël të filmave nga ky edicion i festivalit. Filmat do të shfaqen sonte në orën 20:00, në Amfiteatrin e Universitetit të Arteve.

Advertisement

Në konferencën për mediat ishte prezente Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila theksoi se DokuFest është pjesë e kalendarit të përbashkët kulturor të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Është kënaqësi për të gjithë publikun shqiptar dhe nder për mua si Ministre e Kulturës që për të dytin vit me radhë së bashku me kolegët e DokuFest të prezantojmë edicionin e radhës të këtij festivali tashmë të rëndësishëm jo vetëm për botën shqiptare, por edhe në axhendat ndërkombëtare të kinemasë, si një nga markat më të mira të festivaleve që organizohen në trojet shqiptare. Për ne është detyrë dhe krenari ta mbështesim, duke qenë se DokuFest bën pjesë në kalendarin e përbashkët kulturor të dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, si një ndër gurët më të rëndësishëm të këtij kalendari i cili nuk kufizohet vetëm në shfaqje të filmave, por shtrihet edhe përtej datave të festivalit dhe përtej Prizrenit“, tha Kumbaro.

Drejtori Artistik i DokuFest, Veton Nurkollari shprehu kënaqësinë që shfaqja e filmave në Tiranë të jetë si një pikënisje e Dokufest. “Jemi të lumtur të rikthehemi në Tiranë dhe me një copëz të vogël të programit të madh të këtij edicioni të DokuFest, për të cilin kemi punuar një vit dhe të cilin jemi krenar ta shfaqim në Prizren nga data 8-16 gusht “, tha Veton Nurkollari.

Nurkollari vazhdoi të prezantonte programin e filmave të këtij viti. Të zgjedhura nga një numër rekord i mbi 3 000 aplikimeve, festivali do të prezantojë 228 filma nga 43 vende në 6 programe garuese dhe një numër të programeve speciale. Tema e festivalit këtë vit është migrimi, konteksti i tij shoqëror global dhe lokal si dhe pasojat, të cilat do të theksohen dhe hulumtohen në një numër të aktiviteteve, përfshirë panele dhe debate me filmbërës dhe me ekspertë të ftuar ndërkombëtar dhe vendor. Një program i filmave, të cilët fokusohen në çështjen e migrimit është krijuar ndërsa regjisori fitues i BAFTA Daniel Mulloy edhe këtë vit ka krijuar një kampanjë vizuale të mrekullueshme për temën e festivalit.

Filmat nga programi garues janë në thelb të festivalit dhe përzgjedhja e këtij viti sjell disa nga titujt më të mirë të filmave dokumentar si dhe atyre të shkurtër dhe eksperimental, në qytetin e Prizrenit dhe në kinematë e tij të hapura tanimë të njohura.

DokuFest gjithashtu do të prezantojë një numër rekord të filmave shqip nga filmbërës që jetojnë dhe punojnë në Kosovë, Shqipëri dhe jashtë. Festivali do t’i bëjë homazh njërit ndër filmbërësve më të mëdhenj botëror, Albert Maysles, me shfaqjen e gjashtë filmave të tij, përfshirë filmat legjendar Gimme Shelter dhe Grey Gardens e po ashtu edhe dy filmat e tij të fundit Iris dhe In Transit. Albert Maysles, i cili vdiq në fillim të këtij viti, në moshën 88 vjeçare, së bashku me vëllanë e tij David, ridefinuan filmbërjen e dokumentarëve dhe ndikuan tek një brez i regjisorëve me aftësinë e tyre për të kapur realitetin ashtu siç ndodh.

Drejtori Ekzekutiv i DokuFest, Eroll Bilibani foli për panelet, master klasat dhe punëtoritë që do të sjellin figura të njohura në fushat e tyre përkatëse dhe të trajtojnë shumëlllojshmëri temash që kanë të bëjnë me filmin.

Debati i titulluar “Ballafaqimi me të kaluarën” do të adresojë rolin e rëndësishëm që arti dhe kultura kanë në krijimin e vlerave të reja që do të mund të ndihmojnë në ballafaqimin me traumat e konfikteve të viteve të 90-të. Një debat tjetër do të mbledhë panelistë të cilët do të diskutojnë për shqetësimet kryesore mjedisore dhe ndryshimet klimatike në rajon. Debatet do të mbahen në hapësirën e mrekullueshme të Muzeut të Hamamit, ndërsa biseda të tjera që do zhvillohen aty përfshijnë deabtin mbi tregun e filmave të shkurtër, rolin e mediave në luftimin e korrupsionit, mbi dhunën seksuale gjatë konflikteve në Kosovë dhe Bosnje dhe Hercegovinë dhe pasojat për të mbijetuarit, dhe tre debate që do të shqyrtojnë temën e migrimit nga kënde të ndryshme.

Hapësira e Kino Klubit do të jetë mikpritëse e ligjeratave të ndryshme përfshirë masterklasën me Lucy Walker, regjisore e nominuar dy herë për Academy Award, e cila do të ndajë këshilla për procesin dhe anën praktike të editimit të filmave dokumentar. Në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Kosovës do të organizohet ligjerata me Vasif Kortun një shkrimtar, kurator dhe ligjërues i artit bashkëkohor nga Stambolli, i cili do të flasë për artin dhe ndryshimet urbane duke u fokusuar në punën e tij si në SALT, Istanbul – një institucion i cili është pjesë e shumë programeve dhe një arkive të gjerë të artit bashkëkohor dhe arkitekturës turke.