Do karrierë? Kujdes zemrën!

Një grup studiuesish të Harvard Medical School të Bostonit kanë publikuar një studim në konferencën e përvitshme të American Heart Association dhe paralajmërojnë se një punë stresuese i ekspozon femrat ndaj një rreziku të dyfishtë të prekjes nga iktusi dhe infarkti krahasuar me femrat e tjera që kanë një punë më pak të lodhshme dhe pa shumë përgjegjësi. Studimi përfshiu 17.400 gra të moshës 50 – 60 vjeç dhe ka treguar se një pozicion profesional shumë impenjativ me shumë pak hapësira krijimtarie rrit me 40% rrezikshmërinë e prekjes nga sëmundjet kardiovaskulare, me 88% mundësi për të pësuar një atak kardiak dhe 43% mundësi për t’ju nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në zemër. Sigurisht që këto rreziqe shtohen kur përveç punës shtohen edhe impenjimet familjare.

Parandalimi i mbingarkesës në punë për femrat është kësisoj themelor. Armiku i parë i zemrës është presioni i lartë i gjakut që rritet si pasojë e stresit. Ekspertët këshillojnë disa rregulla shumë të thjeshta për të shmangur rreziqet e pësimit të një ataku kardiak. Duhet të evitohet pirja e duhanit dhe të mbahet një peshë normale. Kilet e tepërta dhe duhani e ngrejnë shumë presionin e gjakut. Një këshillë tjetër që vjen nga ekspertët është reduktimi i stresit të punës nëpërmjet aktiviteteve të këndshme relaksuese. Gjëja më e mirë do të ishte të shkarkoheshin tensionet e punës duke u marrë me të paktën 30 minuta në ditë me aktivitet fizik. Por në rast se keni një familje dhe koha nuk ua lejon që të bëni aktivitet fizik, mund fare mirë të dilni me fëmijët e të shëtisni apo luani nëpër parqe. Shoqëria e familjarëve në kontekstin relaksues do të jetë i mjaftueshëm për të braktisur stresin dhe të mbroni zemrën.

Advertisement