Dje në mesditë iu dha lamtumira e fundit këngëtarit të muzikës rok dhe një ndër yjet e viteve ’90, Gentian Demaliaj.
Por nëse fizikisht ai u largua për shumë miq, familjarë, kolegë, shpirtërisht ai do të jetë gjithmonë prezent.
Janë pikërisht kolegët ata që duan t’a kujtojnë Gentin me një këngë, atë që ai dashuronte.
Ish-pjesëtarët e grupit “Djemtë e Detit” janë mbledhur dje në emisionin “Pasdite në Top Channel” për të kujtuar mikun e tyre.
Flamur Toska, Bujar Daci, Shkëlqim Rustia kanë qenë në studio ndërkohë që Valentin Markvukaj dhe Shkëlqim Metaj janë lidhur telefonikisht.
Ata folën për krijimin e grupit në vitin 1989, koncertet e para në Lezhë dhe peripecitë e kohës.
Ata deklaruan se do të vijnë sërish me një projekt të ri i cili do të jetë i veçantë, një këngë për mikun e tyre Gentian Demaliaj.