Dixhitalizimi i shkollave, Rama: Fazë e re historike e transformimit të arsimit

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar projektin e dixhitalizimit të shkollave si një fazë e re historike e transformimit të arsimit në Shqipëri. Projekti është prezantuar sot dhe pritet të ketë impakt të madh në lidhjet njerëzore dhe në përcjelljen në kohë reale të informacionit.
“Është një fazë e parë e transformimit, që ne e propozuam në kuadrin e ideve të reja për shkollën. Kishte njerëz skeptike, por sot jemi përpara një fakti të kryer, që puna ka filluar konkretisht dhe shkollat po përfshihen në këtë program revolucionarizues. Në tre vjet, të gjitha gjimnazet e vendit tonë do të kalojnë nga faza ku gjenden sot, në një fazë të re”, nënvizoi Kryeministri.
Sipas tij, në përfundim të projektit në tre vitet e ardhshme do të jemi në kushtet e një transformimi të pa ndodhur më parë. Rama tha se “bëhet fjalë për një fazë të re dhe një transformim radikal në qasjen ndaj shkollës, por edhe në marrëdhëniet mes mësuesve nxënësve, prindërve dhe në raportin e të tre këtyre komponentëve me dijen që duhet të garantojë shkolla për fëmijët dhe nxënësit”.
Për kreun e qeverisë, ky proces nuk është i lehtë dhe ka një problem kryesor, ku për herë të parë nuk janë nxënësit problemi, por mësuesit, pasi sipas Ramës, nxënësit e kanë shumë më të thjeshtë të adaptohen me këtë teknologji të re.
“Deri tani, investime në teknologji janë bërë, por nuk janë shoqëruar me trajnime dhe aftësinë e domosdoshme për përdorimin e këtyre mjeteve në funksion të dijes. Ky është një transformim radikal që do të sjellë shumë të mira dhe do të krijojë një lidhje të re dhe shumë transparente në atë që ndodh në marrëdhëniet mes një mësuesi dhe një nxënësi, mes shkollave, etj. Kjo teknologji na jep mundësinë që të kemi përballë një pasqyrë të kompleksitetit të lidhjeve, për të pasur një pamje të qartë të zotësisë së mësuesve për të përcjellë dije, të aftësive të nxënësve dhe të përfshirjes së prindërve në këtë proces”, theksoi Rama.
Sistemi, sipas tij, krijon kushtet për mbledhjen dhe përpunimin e një mase shumë të madhe të informacionit, ndërsa projekti krijon mundësinë që të gjithë nxënësit e të gjitha gjimnazeve të Shqipërisë të jenë të barabartë përpara burimeve të dijes.

Advertisement