Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur që të lirojë nga paraburgimi 3 infermieret që dhunuan të moshuarën në azilin e pleqve “Orenda” në Pejë. Infermieret do të hetohen të lira, Aurona Pelaj dhe Altina Rexhepi dhunuan të moshuarën, ndërkohë që Remize Kuqi ka filmuar duke qeshur. Ngjarja e rëndë e publikuar në mediat sociale më 29 tetor shkaktoi reagime të shumta në Kosovë, Shqipëri por u raportua gjithashtu dhe në disa media ndërkombëtare.
“Me pranimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të të pandehurës A.R., e sipas detyrës zyrtare edhe për të pandehurat A.P. e R.K., ndryshohen aktvendimi i Gjykatës Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm DP.PP.nr.336/2022 të datës 03.11.2022 dhe aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti i Përgjithshëm PN1DP.nr.1561/2022 të datës 11.11.2022, ashtu që të pandehurave iu ndërpritet masa e paraburgimit dhe të njëjtat lëshohen menjëherë për tu mbrojtur në liri”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.
Vajza e të moshuarës paguante 600 euro në muaj që infermierët të kujdeseshin për nënë e saj, pasi vuante nga ‘Alzheimer’, ndërkohë që pas publikimit të videos ajo e ka marrë menjëherë pas publikimit të vidoes. Më pas e mori djali me vete në Belgjikë. E moshuara që u dhunua nga infermierja e qendrës është nëna e ushtarit të UÇK, Taulant Reshat Nura që ka dhënë jetën në luftën me Serbinë.
Pas publikimit të videos Ministria e Financave e Republikës së Kosovës mori vendimin për heqjen e licencës së këtij subjekti.”Revokohet licenca e subjekit “Orenda”. Pas publikimit të pamjeve të sulmit fizik ndaj të moshuarës në subjektin “Orenda” në Pejë, Njësia e Inspektimit të Shërbimeve Sociale ka bërë inspektimin e menjëherëshëm të vendit të ngjarjes, si dhe intervistimin e stafit të qendrës dhe dëshmitarëve të rastit. Me përmbylljen e raportit të inspektimit, i njëjti i është dorëzuar sot Komisionit Licencues, i cili ka mbajtur një takim urgjent ku është marrë vendim që subjektit “Orenda” t’i revokohet licenca për ofrimin e shërbimeve sociale.
Sipas vendimit të Komisionit, subjekti në fjalë është i obliguar që brenda një afati 24 orësh t’i njoftojë familjarët e rezidentëve lidhur me vendimin, kurse deri më datë 7 nëntor (e hënë) obligohet të dorëzojë licencën dhe të mbyll aktivitetin e ofrimit të shërbimeve sociale”, shkruante asokohe Ministria e Financave e Republikës së Kosovës.