Gazetarit të News 24, Artur Çani i kanë bërë një atentat me armë, fatmirësisht i dështuar. Një person i maskuar dhe i pajisur me pistoletë me silenciator ka tentuar ta qëllojë.
Mësohet se personi ende i paidentifikuar, i kishte zënë pritë drejtorit të emisionit ‘Kaktus’ në News 24, Artur Çanit, në hyrje të pallatit ku banon.
Atentati ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20:32 në rrugën ‘Faik Konica’, ndërsa zoti Çani ka shpëtuar mrekullisht, pasi siç deklaron ai, pistoleta me silenciator nuk shkrepi.
Menjëherë për ngjarjen u njoftua edhe policia e kryeqytetit, ku vetë kreu i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa dhe shefi i Komisariatit nr. 1 Artjon Duka shkuan në vendngjarje. Për hetimin e ngjarjes u interesua dhe Kryeministri Edi Rama.
Ndërkaq që policia dhe prokuroria sekuestruan kamerat e sigurisë dhe vijojnë ende hetimet për të identifikuar atentatorin.
“Ngjarjen e kam parë në kamera, nuk nuhata asgjë. Shkoja në shtëpi në orën 20 e 30, ishte errësirës. Roja me njoftoi ishin 3 veta, më thanë që ka ardhur një njeri që ka dashur të vrasë. Një djalë i pallatit rreth të 20-tave e ka parë personin më armë kur ka dalë nga pallati. Pastaj kanë parë kamerat për të identifikuar kujt i kanë qëlluar. Unë hyra në ashensor tek dera dëgjova një zhurmë që si dhashë rëndësi. Kamerat kishin filmuar këtë personin me pistoletë në dorë që hynte pas meje. Ai më kishte drejtuar armën, është përpjekur të qëllojë por nuk i ka shkrepur, është ulur e ka mbushur sërish por unë hyra direkt në ashensor. Më ndoqi deri tek dera, por unë nuk e pashë. Unë lajmërova policinë, ministrin Tahiri, më tha që mos u bë merak do kesh mbështetjen tonë. Më erdhën gjithë drejtuesit e policisë më pas në shtëpi, ndenjtën u përpoqën të më qetësonin. Veprimet e tyre ishin profesionale e vlerësuan rastin me seriozitet. Çfarë mora vesh më pas, ishte një rastësi ajo që më shpëtoi”, rrëfeu Çani të gjithë skenën e atentatit të dështuar.
Më tej gazetari rrëfen se ai nuk ka ndonjë armik konkret, por quan armiq potencial të gjithë ata që ngacmohen nëpërmjet emisionit ‘Kaktus’. Artur Çani beson se edhe ky atentat mund të jetë bërë për shkak të emisionit të ri investigativ që ka nisur në “News 24”.
“Jam menduar gjatë mos ndonjë njeri ka mëri personale me mua. Vetëm me regjisorin mes miqsh kam folur me zë të lartë, me asnjë tjetër. Por ne kemi armiq potencial këdo që ngacmojmë nëpërmjet emisionit. Një gazetar i ‘Kaktus’ është larguar nga presioni i madh që i është bërë, bëhet fjalë për një çështje ende të patransmetuar. Besoj që ka lidhje me emisionin, jo me ngjarje të tjera. Unë më herët nuk kam pasur asnjë presion”, thotë Çani.
E ndërsa duke u kthyer tek pamjet në videon e kamerës së sigurisë, gazetari Çani shprehet se në ato momente zoti ka qenë me të. Ai thotë se këto pamje i janë dorëzuar grupit të hetimit dhe për momentin nuk mund të publikohen.
“Do vijë një ditë që pamjet do publikohen, aty duket fare qartë që një person me armë e ka shtrirë dorën për të më qëlluar. Nuk i ka shkrepur arma, është ulur e ka rregulluar dhe kur është ngritur sërish nuk më ka gjetur se unë hypa në ashensor. Është shqetësuese që krimi ka arritur në këtë nivel sa të marrësh sulm ndaj një gazetari”.
I pyetur nëse do vazhdojë të drejtojë emisionin “Kaktus”, Çani shprehet pa më të voglin dyshim se, “Nuk kam ndërmend të lëviz gjë, do ta vazhdoj emisionin tim”. Ai nuk nguron të përmendë edhe një shprehje të kryeministrit Rama, në momentin që ka kontaktuar me të. “Ed Rama më tha që jetëgjati nuk bëhet jetëshkurtër”.