Në fillim mori pasaportën ruse, ndërsa tani do të veshë kapotën e diktatorit Josif Stalin. Depardieu, aktori i famshëm francez do të jetë protagonist në filmin që do të mbajë titullin “Divani i Stalinit”, njësoj si romani i Zhan Daniel Baltasat, i publikuar në 2013.
Aktorja franceze Fanny Ardant do të jetë regjisorja e filmit, një prodhim i kompanisë franko-portugeze “Leopardo Filmes”. Ndërsa studio kinematografike Mosfilm, me qendër në Moskë do të ndihmojë me kostumet dhe burimet e tjera mbështetëse.
Në qendër të filmit që kthehet pas në kohë, në vitet 1950 do të jetë një artist i ri, të cilit i është kërkuar të bëjë monumentin e Stalinit, i cili fillimisht duhet të kalojë provën e KGB-së.
Në vitin 2013, Presidenti rus, Vladimir Putin i dha pasaportën ruse Gerard Depardieu, qëllimi i të cilit ishte të shmangte taksat e larta në atdheun e tij, Francë.
Në vitin 2011 ai luajti rolin kryesor në filmin “Rasputin” prodhim franko-rus, në qendër të cilit ishte “murgu diabolik”, që pati një influencë të madhe tek Car Nikolla i Dytë.