Dënimi i Xhelal Mziut, Gjokutaj: Apelojmë vendimin, gjykata nuk kishte prova

Një ditë pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, që dënoi me dy vjet burg kreun e Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, avokati i tij, Genc Gjokutaj, përmes një konference për shtyp ka argumentuar se akuzat e ngritura ndaj klientit të tij janë pa themel dhe të pambështetura në prova.
Gjokutaj tha se gjykimin e drejtë për këtë çështje do ta japë Gjykata e Apelit ku dhe do të ankimohet vendimi i dhënë një ditë më parë ndaj kreut të Bashkisë së Kamzës.
Ndërkaq, Mziu, përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, e cilësoi politik dhe të paracaktuar nga zyrat e Kryeministrit Rama, vendimin me dy vjet burg të dhënë nga Gjykata e Tiranës për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Arsyet thotë ai, kanë të bëjnë me rikandidimin për herë të tretë në Bashkinë e Kamzës.
Xhelal Mziu: “Është një skemë gjakftohtë, e mirëmenduar e Edi Ramës për të përdorur çdo mjet në arritjen e synimeve të tij. Synimi i tij është marrja e Kamzës, dhe meqenëse me votë e ka pasur dhe e ka të pamundur, atëherë Edi Rama ka futur në veprim çdo instrument, edhe në shkelje të ligjit, për të shmangur garën e rivalitetin. Eshtë politik ky proces ndaj meje dhe mund të vëreni se si vendimi merret pikërisht përpara nisjes së fushatës dhe ndërkohë që unë jam shpallur zyrtarisht kandidat i Partisë Demokratike për Bashkinë e re të Kamzës. “
Pavarësisht vendimit të Gjykatës, Mziu thotë se nuk do të tërhiqet nga gara elektorale dhe nga angazhimi për t’u shërbyer banorëve të Kamzës dhe Paskuqanit.

Advertisement