Kandidatja e Këshillit të Ministrave për anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Denada Prifti paraqiti të mërkurën në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave objektivat e saj në bordin drejtues të Bankës së Shqipërisë.
Gjykoj se duhet një kod moral dhe etik për të gjithë punonjësit e Bankës së Shqipërisë, deklaroi Prifti para deputetëve të komisionit gjatë zhvillimit të seancës dëgjimore.
“Punoj në Komisionin Europian për bankat dhe stabilitetin financiar. Kam një karrierë 20 vje]are në sistemin bankar të Gjermanisë dhe Belgjikës. Për 5 vite me radhë kam punuar në sistemin bankar gjerman. Nuk kam lidhje politike dhe gjithçka e kam arritur me punë”, deklaroi Prifti.
Denada Prifti është emri i përzgjedhur nga qeveria për anëtare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Karriera e saj është zhvilluar në Gjermani dhe Belgjikë.
Denada Prifti është konsideruar nga qeveria si një zonjë me eksperiencë të gjatë në botën financiare, që ka shërbyer në këto institucione dhe aktualisht vazhdon të shërbejë për BE. “Një kandidaturë shumë e mirë, jashtë politikës, që ka shprehur gatishmërinë të shërbejë përtej interesave të karierës për Bankën e Shqipërisë, në këtë moment të vështirë të saj”, ka deklaruar kryetari i Komisionit të Eknomisë Erjon Braçe, pak muaj më parë.