Mbrëmja e 12 janarit ka qenë e fundit për 22-vjecaren nga Kucova, Denisa Demaj.
Ajo është ekzekutuar me armë nga i dashuri i saj Klaus Sakolli, 29-vjeç nga qyteti i Beratit. Është një histori dashurie me fund tragjik. Mësohet se Sakolli ka shkuar në banesën e Denisës për t’u sqaruar, por bashkëbisedimi ka degjeneruar deri në përdorim të armës. Viktima nuk i ka hapur telefonin të dashurit, i cili pas shumë mllefeve të mbledhura, shkoi në Kuçovë, dhe duke përfituar që banesa ishte private, ka kapërcyer gardhin rrethues dhe ka hyrë brenda në shtëpi. Ai i ka kërkuar asaj që të vinte nesër të sqarohej. Pas refuzimit të vajzës, ai e ka qëlluar me një plumb në ballë, duke e lënë të vdekur në vend. Të afërm të familjes thonë se ishin në dijeni të lidhjes së të rinjve dhe të faktit që i ati i vajzës nuk e pranonte zyrtarizimin e kësaj historie. Nga dëshmitë e komshinjve mësohet se autori mund t’i kishte vrarë të gjithë nëse nuk do t’i bllokohej arma. Në tentativë për të mbrojtur motrën është plagosur rëndë edhe vëllai i Denisës, 20-vjecari Eduard Demaj, i cili u transportua me helikopter në spitalin e traumave në Tiranë. Mësohet se gjendja e tij është kritike për jetën. Të rinjtë ishin njohur në Berat ku Denisa punonte në një firmë që operonte në industrinë e biznesit fason. Policia ndërkohë ka arrestuar autorin e krimit dhe pas marrjes në pyetje do të jepen më shumë detaje rreth motiveve të këtij krimi.