Daniel Craig do të preferonte më mirë të priste damarët sesa të luante një tjetër James Bond.
Deklaratën shokuese, aktori 47-vjeçar e bëri gjatë një interviste për TimeOut, duke konfirmuar kështu zërat se nuk do të luajë në filmin e ardhshëm të Agjentit 007.
“Të luaj një tjetër Bond? Do preferoja të merja një copë xham dhe të prisja damarët”, tha Craig ndërsa shtoi: “Jo, as tani, as në të ardhmen. Jam shumë mirë për momentin, e vetmja gjë që dua është të vazhdoj përpara”.
Deklarata e yllit të “Spectre”, filmi i 24 i sagës të James Bond, që pritet të dalë në kimenatë botërore më 28 Tetor, nuk u prit mirë nga fansat, të cilët e konsideruan si të tepruar, kryesisht për komentin e tij se “do të preferonte të priste damarët”.
Ishin të shumta ata që zgjodhën Twitterin për të kritikuar aktorin hollivudian duke e konsideruar deklaratën e tij si “të panevojshme”, apo “të pa ndjeshme”.