Dako, me banorët e lagjes 18: Izolim nga jashtë pallateve parafabrikatë

Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane për Bashkinë e Durrësit, Vangjush Dako, është takuar me banorët e lagjes nr. 18, një lagje mjaft problematike deri para pak vitesh sa i përket infrastrukturës.

“Sot kemi një situatë krejt tjetër”, tha Dako, duke theksuar se “hapësirat midis pallateve janë sistemuar tërësisht”.

Advertisement

“Kemi mbjellë pemë të llojeve të ndryshme, zgjidhëm problemin e rrugëve dhe të ujit të pijshëm. Kjo lagje ka ndryshuar rrënjësisht dhe ne do të vazhdojmë të punojmë në të njëjtën mënyrë”, shtoi Dako.

Kryebashkiaku i qytetit bregdetar ka deklaruar gjithashtu se kemi projekte konkrete për këtë zonë, një prej të cilëve është izolimi me sistemin kapot për të gjithë pallatet parafabrikatë. Dako ka shpjeguar se të gjithë pallatet parafabrikatë në lagjen nr. 18 do të suvatohen nga jashtë dhe do të izolohen me polisterol, gjë që do të ulë ndjeshëm konsumin e energjisë elektrike.

Duke folur për qytetin në tërësi, Dako ka deklaruar se tashmë Durrësi është një qytet që nuk ka asnjë dallim nga qytetet europiane, dhe falë zhvillimit dhe modelit të këtij qyteti, në të njëjtën mënyrë do të zhvillohet i gjithë vendi.