Dega e filmit është paralizuar për shkak të pandemisë edhe në Gjermani. Me një koncept sigurie ajo kërkon që të rikthehet në skenë si futbolli. Megjithë karantinën e testet, shqetësimi mbetet.
Si do dukej filmi “I ikur me erën”, nëse Clark Gable dhe Vivien Leigh në rolet e Rhett Butler dhe Scarlett O’Hara nuk do afroheshin dot. A do të bëhej dot një film klasik i historisë së kinemasë? Prej javësh bota e filmit në Gjermani diskuton për shkak të masave të pandemisë, se si të vazhdohet me xhirimin e filmave të ndërprerë. Xhirimet e filmave nuk u ndaluan me rregull në kohën e Lockdown, por praktikisht ato u bënë të pamundshme për shkak të rrezikut të infektimit.
“Ka dallime mes një prodhimi në studio, ku distancat mbahen më lehtë dhe mund të bëhen ndryshime, dhe një prodhimi të madh me xhirime jashtë”, thotë producenti i filmit Nico Hofmann, drejtues i UFA-s. “Aktualisht ne po verifikojmë çdo prodhim filmi dhe po përcaktojmë rregullore individuale.”
Pa afrimitet nuk bën
Aktrimi është trupor, shpesh me kontakt trupor, kjo nuk vlen vetëm për skena puthjeje apo në shtrat, por edhe inskenimi i një grindjeje, një trazire ku ka përleshje. “Do ishte për të ardhur keq, nëse në të ardhmen do të kishte më pak skena erotike. Por edhe në skena të tjera vlen: Ne paraqesim afrimitetin njerëzor. Pa të nuk bëhet”, thotë Sebastian Andrae, autor skenarësh dhe drejtues i Shoqatës së Skenaristëve.
Tani po kërkohen koncepte sigurie, si ato që paraqiti Bundesliga dhe që u miratuan. “Kemi mësuar shumë nga futbolli, situata është e krahasueshme me xhirimet. Ka ekipe para dhe pas kameras, për të cilët ka rregulla të ndryshme”, thotë producenti Hofmann. Nëse distanca në një skenë nuk mund të mbahet më shumë se një minutë, atëherë aktorët duhet të kalojnë në karantinë. “Për të gjitha rolet e tjera vlen, testim i rregullt i aktorëve.”
Në degën e filmit rregulla të tilla shihen si pa alternativë, nëse duhet të vazhdohet me produksionet e filmave. Një infektim në ekipin e xhirimit do të thotë në shumë raste fund për xhirimin. Por këto masa kanë koston e tyre. “Ne duhet të flasim edhe për kompensimin financiar dhe statusin e sigurimit shoqëror të aktorëve, që gjatë një xhirimi duhet të futen në karantinë, nuk shohin dot familjet e tyre dhe nuk kanë më role”, thotë aktori Hans-Ëerner Meyer, drejtues i BFFS, Shoqata Federale Gjermane e Aktrimit.
Por edhe rritja e masave në xhirim shton shpenzimet, thotë Nico Hofmann: “Matja e temperaturës, protokollimi i kontakteve, masat e higjienës. Koha e punës rritet kështu me 20%, e me këtë edhe kostoja e xhirimeve.”
Një projekt shtyn tjetrin
Situata e vështirë prek të gjitha palët në një filmim, jo vetëm aktorët. Nga teknika, casting deri të ofrimi i ushqimit. “Shumë kolegë ngushëllohen me shtyrjen e projekteve në kohë”, thotë Meyer. Shpesh ka vetëm ujdi pa detyrime, po jo kontrata, një mënyrë e njohur veprimi në degën e filmit. Por një kontratë të detyron për pagesa, një ujdi e thjeshtë jo. “Kush e mban të rezervuar një kohë të caktuar për punën, dhe nuk ka xhirime, ai nuk ka as të ardhura për këtë kohë, dhe duhet ose të kompensohet plotësisht ose të marrë fonde ndihme të krizës.”
Por çfarë ndodh, nëse një aktor sëmuret në xhirim apo bën pjesë në grupet e rrezikuara? Asnjë siguriacion nuk i mbulon ndalimet e xhirimeve për shkak të Coronës. Prandaj para tre javësh më shumë se 100 prodhues filmash në Gjermani i drejtuan një letër ministrit të Ekonomisë, Peter Altmeier për një fond kompensimi në rast ndërprerjeje të punës së xhirimeve.
Producenti Nico Hofmann thotë, se po diskutohet tani për një fond që prodhimet të jenë të siguruara dhe të mund të vazhdohen. “Kjo është për shumë producente të filmave ekzistenciale, por është e rëndësishme edhe për Gjermaninë si vend prodhues filmash.” Producentë nga jashtë ndërkohë po tërheqin me oferta të Completion Bond, një sigurim për prodhimin deri në fund të një filmi.