Aksidenti i rëndë ndodhi mbrëmjen e të Hënës rreth orës 19:45, në segmentin rrugor Çorovodë-Grepck, rreth 2.5 km pranë Çorovodës, në vendin e quajtur kanionet e Skraparit. Si pasojë e këtij aksidenti humbën jetën shtetasit Fatjon Feka, 23 vjeç; Vladimir Dulellari, 23 vjeç drejtuesi i makinës; Eni Guri, 21 vjeç; Xhulio Allko, 19 vjeç; Edison Çuko, 26 vjeç dhe Drilon Guri, 24 vjeç. Sipas ekspertëve autoteknikë, shkak i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit nga drejtuesi i automjetit tip Mitsubishi, me targa angleze, Vladimir Dulellari, i pajisur me dëshmi aftësie për drejtim automjeti. Ndërkohë sipas ekspertëve rrugorë segmenti Çorovodë-Grepck, ku u regjistrua aksidenti është i pashtruar dhe i kalueshëm vetëm me mjete të larta. Në vendngjarje shkuan forca të policisë rrugore dhe të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Berat, efektiva të FNSH-së dhe forcat RENEA, por personat e aksidentuar kishin pësuar vdekjen e menjëhershme. Operacioni për tërheqjen e trupave të personave të aksidentuar nga vendi ku kishte rënë automjeti filloi në orën 05:30 të mëngjesit dhe përfundoi rreth orës 10:30. Gjatë operacionit të tërheqjes së trupave të shtetasve që humbën jetën në këtë aksident, forcat policore u ndihmuan edhe nga strukturat e Emergjencave Civile Berat, një grup sportistësh të Federatës Shqiptare Rafting Berat, si dhe një grup alpinistësh italianë.