Merkatoja e janarit për skuadrën e Flamurtarit do të jetë e përqendruar kryesisht te lojtarët e huaj dhe kjo sipas administratorit Idrizi do të ndodhë pasi në vendin tonë mungojnë alternativat.

“Them se do të afrojmë rreth tre lojtarë në merkaton e dimrit. Jemi duke parë disa variante dhe mund të kemi edhe ndonjë surprizë, duke afruar një emër të njohur në futboll. Jemi duke parë në tregun e huaj disa lojtarë, pasi në tregun shqiptar mungojnë alternativat në verë dhe jo më tani në dimër që nuk gjen.

Advertisement

Pra, të tre lojtarët që do të afrojmë do të jenë të huaj. Nuk dua të bëj publik asnjë emër, por mund të them se po bëjmë tratativa me një superlojtar. Nëse do të arrijmë ta marrim, do të jetë vërtet një goditje, pasi është një figurë e madhe dhe një emër i rangut të lartë në futbollin botëror”, është shprehur Idrizi në një prononcim për “Panorama Sport”.

Akuzat

Ndërkohë që Idrizi vazhdon të mos i kursejë akuzat për FSHF-në. Sipas tij, institucionit të futbollit nuk i intereson liberalizimi i tregut.

“Megjithëse jemi të penalizuar shumë nga politikat e FSHF-së për shkak të numrit të kufizuar të lojtarëve të huaj që aktivizohen në fushë, ne nuk do të ndalemi. Do të shikojmë në tregun e huaj për shkak se siç thashë ai vendas nuk të ofron gjë. Ata zotërinjtë e FSHF-së, që janë edhe biznesmenë, nuk e njohin ekonominë e lirë, ose bëjnë sikur nuk e njohin.

Me sa duket, atyre nuk u intereson liberalizimi i tregut, pasi e kanë bërë një monopol. Ata nuk duan që të rrisin vlerën e Superiores, ndaj nuk duan alternativa. Unë e bëra punën time, ata nuk dëgjuan, të bëjnë çfarë të duan, mua nuk më privojnë dot, në janar do të afroj lojtarë të huaj”, vazhdoi administratori i vlonjatëve.

Grupi

Ndërkohë që lojtarët aktualë të Flamurtarit kanë pasur oferta të shumta nga skuadra të tjera, por sipas Idrizit të gjithë janë nën kontratë dhe nuk do të largohen.

“Nuk kam pse të largoj lojtarë në janar. E para e punës të gjithë ata janë në kontratë dhe e dyta unë jam i kënaqur me atë që po japin. Nëse ndonjë prej tyre e sheh që nuk e përballon dot peshën e fanellës, të bëjë zgjedhjen e tij, por unë nuk largoj asnjë”, ka përfunduar Idrizi. Pak javë më parë flitej se nga vlonjatët do të kishte largime masive, por pas shlyerjes financiare të futbollistëve, gjërat kanë ndryshuar.