Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të publikojë formularët e plotësuar nga zyrtarët që janë subjekt i ligjit të dekriminalizimit.
Publikimi erdhi pas kërkesës së kreut të grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka dhe disa media, që do të kenë në dorë të gjithë formularët.
Në këto formularë, kreu i Bashkisë së Krujës, ai i Kavajës, Poliçanit dhe Mallakastrës kanë plotësuar me “Po”, përgjigjien për pyetjen e nëse janë ndaluar, gjykuar apo dënuar ndonjëherë nga një gjykatë e huaj apo shqiptare.
Artur Bushi, kreu i Bashkisë së Krujës ka pranuar se është ndaluar në dy raste dhe që të dyja në Itali. Fillimisht në vitin 1996 në Caserta e më pas në Burso Arsizio, i hetuar e gjykuar për trafik lëndësh narkotike, ku në fund të procesit ka dalë i pafajshëm.
Kreu i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi konfirmon në formular se ka ndryshuar emrin nga Ervin në Ervis, ndërsa thotë se ka një dënim me gjobë nga Gjykata e Kavajës.
Roshi pranon se ka qenë nën hetim apo gjykim në Mynih, por “nuk i kujtohet” për çfarë arsyeje dhe as rezultati përfundimtar i gjykimit.
Të ndaluar, dënuar apo gjykuar ndër krerët e bashkive janë përgjigjur me ‘po’ edhe kreu i Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj dhe ai i Poliçanit.
Rasti i veçantë është ai i kreut të Bashkisë së Kurbinit, Artur Ndoi. Ai pranon në formular se ka ndryshuar katër herë emrin dhe mbiemrin. Ai thotë se ka mbajtur “emra të padokumentuara” Gentian Lila, Altin Tanushi dhe Gent Bushi. E çuditshme është edhe vendlindja, pasi sipas formularit, Artur Ndoi ka lindur edhe në Laç edhe në Krujë.
Sa u takon deputetëve, Mhill Fufi pranon se është hetuar për favorizim prostitucioni dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme. Me po është përgjigjur edhe Arben Ristani nëse është dënuar ndonjëherë. Ai thotë se është dënuar për “dhënia e vendimit të padrejtë”, dënim i amnistuar në Shkallën e Parë.