Chiara Ferragni, zyrtarisht nën hetim nga prokuroria e Milanos!

Një tjetër hallkë i është shtuar “zinxhirit” të problemeve pas skandalit për fushatën e bamirësisë dhe bashkëpunimit me kompaninë e ëmbëlsirave “Balocco”.

Sipas mediave italiane, Chiara është marrë zyrtarisht nën hetim nga prokuroria e Milanos me akuzën për mashtrim të rëndë. Si u mbërrit deri te akuzat ligjore për Chiara Ferragani-n?

Advertisement

Historia u bë publike në dhjetor, ku në mediat italiane dolën disa fakte në lidhje me mashtrimin me fushatën e bamirësisë mes Chiara-s dhe kompanisë “Balocco”. Siç pretendohej në fillim të fushatës, panetonet do të shiteshin në treg me një vlerë 9 euro (ndërkohë që çmimi normal është jo më shumë se 5 euro), ndërsa nga shitja e çdo ëmbëlsire një pjesë do të dhurohej për spitalin në Torino. Kur skandali u zbulua, autoritetet e krimit ekonomik dhe financiar në Itali, zbuluan se kompania “Balocco” në fakt kishte bërë vetëm një transaksion prej 50 mijë eurosh në llogarinë e spitalit. Kjo ka ndodhur një muaj para se të niste fushata e bashkëpunimit mes Chiara-s dhe kompanisë së ëmbëlsirave.

Prokuroria e Milanos thotë se nën hetim është edhe presidentja e kompanisë, Alessandra Balocco.

Chiara ka reaguar në lidhje me këtë çështje, edhe pas videos së famshme ku kërkonte falje mes lotësh. Ajo është shprehur se: “Jam e qetë sepse kam vepruar gjithmonë me mirëbesim dhe jam e sigurt se kjo do të dalë nga hetimet që janë në vazhdim. Unë kam besim të plotë në veprimtarinë e gjyqësorit dhe menjëherë jam vënë në dispozicion me avokatët e mi për të bashkëpunuar dhe sqaruar çdo detaj të asaj që ka ndodhur.”