25 marsi është data e fundit e ndalimit të grumbullimeve, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, por ç’do të ndodhë më tej?!
Sipas zëvendësministres së Shëndetësisë, Mira Rakacolli vendimi i radhës do të merret bazuar në të dhënat e situatës së Covid-19. Gjatë një interviste për Abc News, Rakacolli tha se masat mund të lirohen, mund të qëndrojnë siç janë, por edhe mund të shtrëngohen nëse situata përkeqësohet.
“Padyshim që të gjitha masat janë në varësi të numrave dhe të indikatorëve që monitorojnë situatën. Është numri i rasteve të reja ditore, pozitiviteti i testimeve të bëra, numri i të shtruarëve në spital, numri atyre që janë në terapi intensive që është shumë e rëndësishme dhe numri i jetëve të humbura.
Ndërthurja e këtyre indikatorëve, na sugjeron ne nivelin e masave që duhen për t’i mbajtur të kontrolluar të gjitha këto. Masat janë gjithmonë në përputhje me indikatorët dhe me hetimin epidemiologjik. Në varësi të këtyre do të jenë edhe masat. Kështu që mund të qëndrojnë në këtë nivel, mund të lirohen, shpresojmë shumë, por nëse situata përkeqësohet mund edhe të shtrëngohet.”
Ndërsa për të gjithë ata që janë ende konfuzë në lidhje me kufizimin në orën 20:00, zëvendësministrja tha se një pjesë e mirë e infeksioneve është marrë pas orës 20:00 nëpër restorante/bare.
Përsa i përket votimeve dhe menaxhimit të grumbullimit të njerëzve, Rakacolli tha se në rast se situata epidemiologjike në 25 prill është e ngjashme me situatën që është sot, nuk duhet në asnjë mënyrë të zgjerohet numri i personave që do të marrin pjesë nëpër grumbullime.