Çështja CEZ, PD dorëzon në Kuvend nismën ligjore ‘për hetim ndërkombëtar’

Partia Demokratike depozitoi në kryesinë e Kuvendit nismën ligjore përmes së cilës do të kërkojë hetim ndërkombëtar për çështjen CEZ.

Pr/ligji “Për lejimin e hetimit ndërkombëtar për akuzat e bëra publike për çështjen CEZ” është propozuar nga grupi i deputetëve të PD-së, ndërsa krahas tij opozita ka njoftuar se gjatë ditës së sotme do t’i drejtohet me një kërkesë Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e marrëveshjes së qeverisë shqiptare me kompaninë CEZ, e miratuar nga parlamenti më 31 korrik 2014.

Advertisement

Në pr/ligjin e përcjellë sot në Kuvend deputetët demokratë kërkojnë miratimin e një ligji të posaçëm, që do të përcaktojë rregullat për një hetim të pavarur nga prokurorë të huaj të kësaj çështje. Ish-kryeministri Sali Berisha ishte i pari që kërkoi hetim ndërkombëtar për këtë çështje, ndërsa më pas dhe kryetari i Kuvendit Ilir Meta u shpreh në mbështetje të saj.