Certifikohet rezultati i zgjedhjeve të 21 Qershorit, Luzi: Zgjedhje transparente me disa risi teknologjike

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve çertifikoi sot rezultatin final të zgjedhjeve lokale të 21 Qershorit.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefterie Luzi në një konferencë për shtyp pas mbledhjes, lidhur me zgjedhjet e 21 Qershorit u shpreh se ato ishin të lira, me standarde dhe gjithëpërfshirëse. Në deklaratën e saj për shtyp, Luzi vuri në dukje punën e bërë nga KQZ për të realizuar një proces të suksesshëm zgjedhor.

Advertisement

Sipas saj, puna e KQZ-së ka nisur shumë më herët se Presidenti i Republikës, Bujar Nishani të dekretonte datën e zgjedhjeve.  Kryetarja e KQZ-së, Luzi tha se zgjedhjet vendore u realizuan me hartën e re territoriale dhe me ndryshimet në Kodin Zgjedhor vetëm pak ditë përpara datës së zgjedhjeve, megjithatë KQZ arriti të krijonte infrastrukturën e nevojshme zgjedhore, përgatitore dhe funksionale, për garantimin e integritetit të procesit të lirë, të ndershëm dhe të pavarur zgjedhor.

Ajo bëri të ditur se u prodhuan materiale edukuese, informuese dhe sensibilizuese, në gjuhët e pesë komuniteteve e të pakicave kombëtare.  “Shpërndarja e këtyre materialeve u realizua përveç të tjerash edhe në takimet e drejtpërdrejta që unë si Kryetare e KQZ-së kam zhvilluar me përfaqësues të këtyre komuniteteve në qytetet ku ka përqëndrimin më të madh të tyre”, tha Luzi.

“Për sensibilizimin dhe informimin e zgjedhësve PAK, të gjithë spotet televizive, edukues, informues, sensibilizues, ishin të përshtatur në gjuhën e shenjave. Për fushatën e edukimit zgjedhor, KQZ bashkëpunoi sukseshëm edhe me OJF përfaqësuese, si IRCA (Instituti i Kulturës Rome në Shqipëri), përfaqësuesit e Komitetit Shtetëror për Pakicat Kombëtare në Shqipëri, etj.  KQZ, bëri pjesë të administratës zgjedhore 12 persona me aftësi të kufizuar pranë zyrave rajonale zgjedhore në 12 qarqet e vendit dhe pranë  pikave të informimit të zgjedhësve,  që u ngritën në 12 qytete,  1 person PAK dhe 1 person nga komuniteti rom në KQZ, me bindjen se puna e gjithsecilit prej tyre do të jetë kontribut dhe ndihmë e madhe për zgjedhësit me aftësi të kufizuar. Për herë të parë, theksoi Luzi, KQZ prodhoi maska me shkrimin brail, “shablloni”, mjetet ndihmëse për zgjedhësit e verbër që votuan vetë pa ndihmësit e tyre, duke garantuar fshehtësinë e votës së tyre”.

Sipas saj, KQZ përgatiti në kohë bazën nënligjore, u miratuan 5 akte me karakter normativ rregullues dhe 964 akte të tjera nënligjore.

Gjithashtu, Luzi vlerësoi punën e bërë për KZAZ-të. “U konstituuan në kohë rekord (brenda një dite) të 90 Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor dhe në përputhje të plotë me Kodin Zgjedhor. KQZ me procedura korreke, me transparencë dhe brenda afateve kohore ligjore  regjistroi si subjekte zgjedhore 63 parti politike, nga të cilat 9 parti politike konkuruan më vete jashtë 2 koalicioneve zgjedhore të regjistruara për këto zgjedhje.

Po ashtu, sipas saj, u regjistruan kandidatët për kryetar bashkie për çdo zonë zgjedhore, dhe listat shumemërore për anëtarë në Këshillat Bashkiak, të paraqitura nga subjektet zgjedhore (parti politike) apo kandidat të mbështetur nga zgjedhësit për për 61 bashkitë. Në funksion të zgjedhjeve të 21 qershorit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, realizoi me sukses 4 projektet elektronike, duke rritur informacionin dhe transparencën për publikun, median dhe subjekteve zgjedhore, që garuan në zgjedhjet vendore”, tha Luzi, duke përmendur këtu, kamerat në ambientet ku përpunohej baza logjistike, monitorët  për publikimin në kohë reale të rezultatit etj.

Nga përgatitjet, Luzi sqaroi punën e KQZ-së edhe gjatë proçesit zgjedhor, ku në veçanti, Kryetarja e KQZ-së vlerësoi qytetarinë e votuesve, ndërsa pasqyroi suksesin e punës së KQZ-së përmes deklaratave të vëzhguesve ndërkombëtare.

Sa i takon pjesës së numërimit, Luzi tha se risi për këto zgjedhje ishte që në rezultatin paraprak të dhënë nga KQZ, njëherazi jepej dhe shpërndarja e mandateve për çdo zonë zgjedhore, mbi bazën e rezultateve të nxjerra nga çdo qendër votimi e përfshirë në juridiksionin e KZAZ-ve përkatëse.

Në fund, Luzi u shpreh se në KQZ u paraqitën gjithsej 115 kërkesa ankimore, nga këto 23 parazgjedhore dhe 92 kërkesa ankimore paszgjedhore. Ajo bëri të ditur se kundër vendimeve të KQZ-së, janë bërë në Kolegjin Zgjedhor 20 ankime parazgjedhore dhe 20 ankime pas datës së zgjedhjeve. Kolegji Zgjedhor, tha Luzi, ka pranuar 9 kërkesa ankimore dhe ka vendosur ndryshimin e vendimit të KQZ-së, ka rrëzuar 25 kërkesa ankimore dhe ka lënë në fuqi vendimin e KQZ-së, si dhe ka pushuar 6 ankimime.