Çelet sot Panairi i Librit ‘Tirana 2019’

Ka nisur sot në orën 9.00 të mëngjesit, edicioni i 22-të i Panairit të Librit që organizohet në Pallatin e Kongreseve. Për të gjithë ata që e duan letërsinë dhe përkthimin, të gjithë qytetarët dhe dashamirësit e librit do të kenë mundësi që në 100 stendat e pozicionuara në panair të njihen nga afër më të gjithë titujt e rinj apo librat e fundit të shkrimtarëve të preferuar.

Përveç titujve të rinj që pritet të promovohen në këtë panair, rreth 200 shkrimtarë, krijues, përkthyes do të jenë pjesë e 100 veprimtarive, të cilat do të organizohen në stendat e shtëpive botuese.

Advertisement

Petrit Ymeri në cilësinë e kryetarit të Shoqatës së Botuesve në vend, si edhe organizatori i këtij panairi thotë se me gjithë problematikat e mëdha me të cilat përballet një aktivitet kaq i madh siç është panairi i librit, ata sërish ja dolën që të sjellin në vëmendjen e lexuesve dhe qytetarëve libra e rinj, autorët dhe titujt interesantë që do të propozohen këtë vit në panair.

“Një nga temat kryesore, që do të diskutohet është që botuesit shqiptarë kanë bërë hapa shumë të mëdha gjatë këtyre viteve, krahasuar me institucionet shtetërore. Po përballemi me një indiferencë të dukshme të institucioneve shtetërore për të ndihmuar sistemin libror në Shqipëri”, përfundoi ai.

Panairi do të zgjasë nga data 13 deri në datë 17 nëntor.

/RevistaClass/