Sot çeli siparin Akademia e Sigurisë. I pranishëm në ditën e parë të nisjes së studimeve, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha se qeveria ishte angazhuar për rikthimin e arsimit të lartë për punonjësit e policisë.
“Ne morëm angazhim që do të rikthejmë Akademinë e Policisë, pra arsimimin e lartë për punonjësit e Policisë, për nivelin e parë hetues dhe sot nisim klasën e parë të Fakultetit të Policisë. Nga njëra anë kemi kursin bazë që ndihmon për futjen e të rinjve në Policinë e Shtetit, nga ana tjetër kemi institucionin e lartë që nga sot hedh themelet për të pasur një nivel të konsoliduar të oficerëve të Policisë së Shtetit”, tha ministri Tahiri.
Ministri i Brendshëm tha se institucioni do të funksionojë nëpërmjet binjakëzimit me institucione analoge të vendeve të BE-së, për ta bërë mësimin një prioritet, që “sjell produkte kundër informalitetit, paligjshmërisë dhe kundër krimit”.