Ministrja e Zhvillimit Urban, znj. Eglantina Gjermeni po zhvillon një vizitë pune në Republikën Ceke, për të marrë pjesë në Habitatin Europian, të organizuar nga Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara. Në ditën e parë, znj. Gjermeni, është takuar me Ministren e Zhvillimit Rajonal të Republikës Çeke, znj. Karla Slechtova, e cila do të vizitojë vendin tonë në muajin qershor. Gjatë bisedës, Ministrja Gjermeni e njohu homologen e saj me punën e bërë për hartimin e 3 planeve kombëtare: Planin e Përgjithshëm Kombëtar; Planin e Integruar Ndërsektorial të Bregdetit dhe Planin për zonën ekonomike Tiranë- Durrës; dhe me procesin e hartimit të planeve vendore për 31 bashki, 26 prej të cilave do të financohen nga Qeveria Shqiptare.
Ministrja Slechtova, vlerësoi punën e bërë deri tani nga Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Zhvillimit Urban, në fushën e planifikimit të territorit.
Në qershor, gjatë vizitës së saj në Tiranë, dy ministritë tona do të nënshkruajnë një memorandum mirëkuptimi mbi zhvillimin urban dhe strehimin.
Pas këtij takimi, Ministrja Gjermeni u shpreh se, – “Marrëveshja e bashkëpunimit do të ketë disa pika, të cilat do të jenë konkrete, për të realizuar bashkëpunimin në disa fusha të aktivitetit të MZHU. Konkretisht, do të bashkëpunojmë për asistencë teknike dhe ekspertizë në implementimin e planeve kombëtare dhe të atyre vendore; në përvojën evropiane të standardeve të ndërtimit, meqenëse ne jemi duke i rishikuar këto standarde; në nënshkrimin dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta me fonde të Bashkimit Evropian.
Kjo marrëveshje do t’i hapë rrugën një bashkëpunimi më konkret midis dy ministrive.
Më vjen mirë të them që Ministrja Slechtova ishte e angazhuar për një bashkëpunim të ndërsjelltë me Shqipërinë, duke e forcuar këtë bashkëpunim qoftë përmes marrëveshjes, qoftë përmes vizitës së saj në muajin qershor. Puna intensive tani, do të realizohet përmes stafeve teknike, që do të përgatisin marrëveshjen, e cila do të nënshkruhet në qershor.”
Po gjatë ditës së sotme, në një prej aktiviteteve në kuadër të Habitatit Europian, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Enti Kombëtar i Banesave paraqitën eksperiencën shqiptare për “Eficencën e Energjisë dhe strehimin e përballueshëm për popullsinë me të ardhura të ulëta”. Në dy vjet u investuan rreth 220 mijë euro për zbatimin e 3 projekteve pilot. Sot, 228 qytetarë në Shqipëri përmes zbatimit të këtyre tri projekteve paguajnë 50% më pak në faturat e tyre të energjisë. 6 projekte të reja do të zbatohen gjatë këtij viti.