Ceki – Shqipëria dorëzon kërkesën për aplikim si vënd kandidat për në BE

Kështu është shprehur kryeministri Sali Berisha gjatë ceremonisë speciale që Presidenca Çeke ka organizuar me rastin e dorëzimit të kërkesës në fjalë nga pala shqiptare. “Ju falenderoj për pritjen e ngrohtë dhe bisedimet që patëm. është mirënjohja jonë që të mbështetim Republikën Çeke dhe ecurinë e këtij vëndi mik, pasi ai na ka mbështetur në rrugën tonë drejt integrimit”, iu drejtua kryeministri Berisha homologut të tij çek, Topolanek. “Të mbështetur në traktatin e Bashkimit Evropian dhe në dëshirën dhe aspiratën e shqiptarëve ne kemi kënaqësinë të hedhim këtë hap. Shprehim dhe afirmojmë konsideratat tona më të larta”, u shpreh kryeministri Berisha, duke i dorëzuar kërkesën për aplikim, homologut cek Topolanek, vëndi i të cilit është kryesuesi i radhës i BE-së. Më tej, kreu i qeverisë shqiptare, ka theksuar faktin se 96% e shqiptarëve janë pro integrimit në strukturat e Bashkimit Evropian. Ai ka shtuar para përfaqësuesve evropianë se vëndi ynë e merr aktin e dorëzimit si një moment të madh obligimi për të përmbushur të gjitha kërkesat e duhura nga ana e Bashkimit Evropian për të merituar një ditë statusin “anëtar” i kësaj familje të madhe. “Vij këtu për të dorëzuar kërkesën e Shqipërisë, për të marrë statusin kandidat. Dua t’ju siguroi se Shqipëria e merr këtë obligim dhe e konsideron procesin si një moment të madh për të punuar për këtë projekt historik”. Nga ana e tij, kryeministri Topolanek vlerësoi se prej ditës së aplikimit Shqipëria ka një rrugë të madhe për të bërë, ndërsa premtoi se Cekia do të jetë mbështetëse e proceseve integruese edhe pas përfundimit të presidencës së BE-së. Në këtë ceremoni foli edhe drejtori i Zgjerimit në Komisionin Evropian, Michael Lee, i cili kërkoi zhvillimin e zgjedhjeve të lira, pasi ato mbeten test për të ardhmen e Shqipërisë. Në këtë mënyrë, kryeministri shqiptar ka përmbyllur aktin e dorëzimit të kërkesës për aplikim të Shqipërisë në BE mbi statusin e vendit kandidat, edhe në prani të ministrit të Jashtëm, Lulëzim Basha si dhe ministres së Integrimit, Majlinda Bregu.

Advertisement