Ceki – Ministrat e Jashtem te BE optimiste per integrimin e Ballkanit Perendimor

Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare në Bashkimin Europian u shprehën optimistë për përmbylljen me sukses të procesit të heqjes së vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor brenda vitit 2009. Ministri Basha mori pjesë në Takimin Informal të Ministrave të Punëve të Jashtëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, i cili zhvilloi punimet një ditë më parë në Çeki. Në këtë takim u diskutua mbi ecurinë e proceseve të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, procesin e liberalizimit të vizave, situatën ekonomike dhe mbështetjen financiare që Komisioni Europian do të japë në këtë drejtim, si dhe mbi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal. Duke rikonfirmuar perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, mbështetur në Axhendën e Selanikut, Ministrat e Jashtëm të BE-së shmangën çdo mëdyshje për sa i përket afrimit të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së dhe e konsideruan integrimin e tij të plotë në Union, si vital për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit dhe vetë Europës.
Advertisement