Dy vendet synojnë luftën kundër trafikut të narkotikëve, trafikut të armëve dhe qënieve njerëzore. Marrëveshje të njëjta Shqipëria ka firmosur me shumë vende anëtare të Bashkimit Europian, duke synuar zbatimin e politikës së luftës kundër krimit të organizuar me zero tolerancë. Gjatë takimit me Zëvendësministrin Strazimiri, Ministri i Brendshëm Çek konfirmoi mbështetjen e Çekisë për liberalizimin e vizave. “Çekia, që mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian është në favor të heqjes së vizave për Shqipërinë në një kohë sa më të shpejtë” u shpreh Langer. Sipas tij, ky vendim nuk është vetëm në interes të Shqipërisë, por të vetë Bashkimit Europian, vendet e të cilit pritet të marrin një vendim për liberalizimin e vizave nga mesi i muajit maj. Zëvendësministri Gent Strazimiri prezantoi progresin e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar, i cili është dhe një nga kushtet kryesore për heqjen e vizave.