Më 1 shtator nxënësit e arsimimit parauniversitar do të rifillojnë shkollën duke ndjekur konsultime dy-javore për të përsëritur, përforcuar dhe përmirësuar njohuritë nga viti i kaluar.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, përmes një postimi, njoftoi në rrjete sociale njoftoi se temat e trajtuara janë përzgjedhur në varësi të nevojave të shkollës dhe se nxënësit janë të lirë t’i ndjekin. Gjithashtu, mësuesit do të paguhen për orët shtesë.
“Pas një konsultimi me Këshillin Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, me mësues, prindër, si dhe ekspertë të arsimit, dua t’ju informoj se sapo kemi miratuar Udhëzuesin e hartuar nga Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar (ASCAP) ‘Për përmirësimin e arritjeve të nxënësve si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia COVID-19’. Qëllimi i tij është që t’i mundësojë nxënësve për një periudhë dyjavore në fillim të muajit shtator 2021 të përsërisin, përforcojnë apo përmirësojnë njohuritë e tyre lidhur me mangësitë e identifikuara gjatë vitit të kaluar shkollor”, shkruhej, ndër të tjera, në postim.
Për më shumë informacion, lexoni udhëzuesit përkatës për arsimin fillor, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë.