Capital T publikon projektin ”Rrushe”, kënga zyrtare e serialit më të ri (VIDEO)

Reperi i njohur Capital T, ka publikuar këngën ”Rrushe”, e cila do të jetë edhe kënga zyrtare e serialit më të ri, me po të njëjtin emër. Rrushe është serial i prodhuar nga GjirafaStudios dhe do të lançohet më 9 maj, nga ora 20:00.

Në këngën “Rrushe”, Capital T thotë “bohët mirë”, teksa vazhdon të pyes “edhe sa?”. Një fjali që përdoret shumë tek ne, si shpresë se një ditë e keqja do të largohet, e do të bëhet më mirë.

Advertisement

Reperi i njohur lundron në një barkë në liqenin e Batllavës, teksa shiu bie vazhdimisht, duke krijuar një simbolikë të fortë, që ndërlidhet bukur me serialin më të ri dramë-krim të quajtur Rrushe. Capital T reflekton mbi gjendjen aktuale, në klip shohim skena të ndryshme nga seriali, të ndërlidhura me tekstin e këngës, i cili prekë tema të ndryshme të përjetimeve tona si popull.

Temat si korrupsioni, tradhëtia, shpresa, vrasja, e shumë të tjera, janë edhe bazë e serialit Rrushe. Ky serial veçohet për trajtimin e temave delikate me të cilat ballafaqohet shoqëria jonë, duke mos lënë anash edhe të kaluarën, atë që përjetuam dekada më parë, e kaluar që vazhdon të jetë pjesë e realitetit tonë edhe sot.