Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako inspektoi masat e marra nga autoritetet policore për parandalimin e personave që synojnë statusin e azilantit në vendet e Bashkimit Europian.
Nga Rinasi, kreu i Policisë së Shtetit tha se Policia Kufitare dhe të gjitha strukturat e tjera policore janë të angazhuara për të ndaluar dhe për të mos lejuar lëvizjen për qëllime azili. Çako paralajmëroi qytetarët që të mos marrin një nismë të tillë, pasi do t’u digjet mundësia për të lëvizur lirisht në vendet e zonës Shengen.
“Djegia e mundësisë së tyre për lëvizje të lirë i kushtëzon dhe një penalitet që nuk i lejon lëvizjen e mëpashme, qoftë për turizëm, qoftë për arsye të tjera”, tha Çako.
Shtetasit shqiptarë që kanë dorëzuar kërkesat për azilantë kryesisht në Gjermani, nuk kanë përdorur vetëm pikat kufitare të Shqipërisë, por edhe të vendeve të tjera të BE-së, ku prej vitesh kanë jetuar si emigrantë. Çako apeloi që të gjithë qytetarët që dëshirojnë të jetojnë dhe punojnë në vendet e BE-së, ta bëjnë këtë përmes procedurave ligjore.
Çako tha se në 9 muajt e fundit në vendin tonë kanë hyrë dhe kanë dalë 9 milionë persona, ku fluksi më i madh është regjistruar në muajt e verës.
“Një shifër për t’u theksuar është hyrja dhe dalja e shtetasve të huaj, që përbëjnë rreth 2.2 milionë”, tha Çako.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit garantoi se pikat kufitare janë të përforcuara dhe të vendosura për të mos lejuar abuzimet me lëvizjen e lirë.