Byroja e Kuvendit, e mbledhur me kërkesë të disa prej deputetëve të grupit parlamentar socialist, ka vendosur të përjashtojë me 10 ditë nga punimet e Kuvendit, deputetin demokrat Sali Berisha, pas thirrjeve të tij nga salla e Parlamentit për armatosjen e shqiptarëve. Anëtari demokrat i Byrosë, Edmond Spaho tha se vendimi është një hakmarrje ndaj deputetit Berisha dhe një përpjekje për të larguar vëmendjen nga situata kriminale në vend. Ndërsa deputeti socialist Taulant Balla duke përshëndetur vendimin e Byrosë tha se deklaratat e Berishës ishin përpjekja e rradhës për të penguar reformën në drejtësi. Në seancën parlamentare të së enjtes, deputeti demokrat Sali Berisha bëri thirrje për armatosjen e qytetarëve, ndërsa menjëherë 7 deputetë socialist kërkuan mbledhjen e Byrosë dhe marrjen e masave ndaj Berishës. Byroja ka marrë masën maksimale ndaj tij, përjashtimin me 10 ditë nga punimet e Kuvendit.