Bylykbashi: neni nuk kalon, mazhoranca vret lirinë e medias

Nënkryetari i Komisionit për Reformën në Drejtësi, Oerd Bylykbashi ka reaguar lidhur me një nen të ligjit për Prokurorinë e Zakonshme, pjesë e paketës së reformës në drejtësi, i cili sipas tij cënon lirinë e medias. Bylykbashi shprehet se kjo mazhorancë e ka tmerr lirinë e medias. Ai sqaron se “para tre ditësh sollën në komision ligjin për Prokurorinë Speciale me të cilin media dënohej nëse tentonte të bënte transparencë, duke e quajtur “ndikim të papërshtatshëm”!” Por sipas Bylykbashit, pasi ai nen u denoncua e kundërshtua si nga opozita ashtu edhe nga vetë media, mazhoranca po përpiqet që ta kalojë sërish nëpërmjet një ligji tjetër. “Këta nuk heqin dorë nga kërcënimi mbi median! Mesa duket, të njëjtin kërcënim e kanë futur tek ligji i Prokurorisë sëzakonshme. Edhe këtë e kanë gatuar të vetëm në komision kur u mblodhën para miratimit të amendamenteve kushtetuese atëherë kur Opozita nuk ishte e pranishme. Si cdo gjë tinzare, edhe kjo është bërë në fshehtësi”, thotë Bylykbashi. “Ky nen i ri që vret lirinë e medias nuk ka asnjë shans (as teorik) të kalojë! Opozita do ta kundërshtojë këtë tentative të re të mazhorancës”, përfundon Bylykbashi.

Advertisement