Partia Demokratike propozon platformën në kuadër të dekriminalizimit dhe ndryshime kushtetuese për pastrimin e parlamentit dhe administratës nga të inkriminuarit.
Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, doli sot në një deklaratë për mediat për të paraqitur platformën e opozitës për dekriminalizimin. “Do kërkojmë ndryshime kushtetuese për të pastruar parlamentin dhe administratën nga të inkriminuarit dhe ndalimin dhe emrimin e tyre në të ardhmen. Partia Demokratike do të kërkojë qe të mos mbajnë funksione publike të gjithë ata përsona qe janë në proçese hetimi apo gjykimi në vendet e Bashkimit Evropin, apo vende te tjera per kryerjen e krimeve të rënda”, theksoi ai.
“Paketa që propozon Partia Demokratike garanton që personat me rekorde kriminale, që përdorin identitet të ndryshuar, të dyfishtë apo shumfishtë, të mos futen në parlament apo organet e tjera të pushtetit dhe për këtë do të verifikohen shenjat e gishtërinjve. Shqiptarët meritojnë të kenë të zgjedhur zyrtarë publike me integritet të lartë. Në përputhje me praktikat të konsoliduar të vendeve demokratike si, SHBA, Partia Demokratike propozon testin e drogës për çdo zyrtarë të lartë. Kjo platformë që i paraqitet publikut dhe komisionit parlamentar për dekriminalizimin, do të shërbejë për hartimin e ndryshimeve ligjore e kushtetuese, duke filluar nga sesioni i ri parlamentar. Ligji italian i njohur si ligji Severino, do të jetë boshti i këtij propozimi, por ky model do t’i përshtatet situatës dhe kontekstit të rënduar të Shqipërisë”, tha Bylykbashi.