Bulqizë | Vijon greva e minatorëve, rrezikohet shembja e minierës

Sunday, December 21, 2025

Minatorët e ngujuar kanë shfaqur probleme të rënda të frymëmarrjes e në mushkëri për shkak të kushteve të rënda në minierë, lagështirës, mungesës së ajrit e dritës që i shtohen mungesës së ushqimit për plot 15 ditë grevë urie. Edhe pse janë në gjendje të rëndë ata kundërshtojnë të dalin nga miniera deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Prej natës së shkuar minatorët janë trajtuar me serum, nga mjekët që ata i asistojnë në këto ditë greve. Por, përveç gjendjes së rënduar shëndetësore 13 minatorët grevistë po përballen edhe me rrezikun potencial të shembjes së minierës. Janë ekspertët e minierave që thonë se greva e mëtejshme aty është tejet me rrezik për jetën e minatorëve, për shkak se në minierë janë vërejtur shembje të ndryshme në armaturën e minierës. Ekspertët i bëjnë thirrje autoriteteve të shtetit të ndërhyjnë për zgjidhjen e kësaj situate të rëndë. Ndërkohë minatorët presin përgjigjen e kompanisë austriake ACR lidhur me kërkesat e tyre jetike të rritjes së pagave me 40%, përmirësimin e kushteve të punës dhe sigurisë në minierë, largimin e drejtuesve aktualë të minierës, uljen e moshës së pensionit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -