Minatorët ripërsëritën dje se nuk do ta ndërpresin grevën e urisë derisa të plotësohen kërkesat e tyre. Ata i bënë thirrje qeverisë dhe ambasadës austriake të ndërhyjnë për t’i dhënë zgjidhje situatës së krijuar. Kompania austriake ACR mësohet se u tërhoq nga takimi pasi nuk dha pëlqimin që të negociojë me kreun e Konfederatës së Sindikatave Kolë Nikolla dhe kreun e sindikatës Taf Koleci, të cilët s’janë punonjës të minierës. Sipas ACR-së dy personat e lartpërmendur nuk kërkojnë plotësimin e kërkesave të minatorëve, por sabotojnë bisedimet e kompanisë me minatorët për përfitime personale. Por, në një deklaratë për mediat Taf Koleci akuzoi hapur drejtuesit e kompanisë austriake duke theksuar se ata i kishin ofruar një shumë të madhe parash që të ndërhynte për ndërprerjen e protestës së minatorëve. 13 minatorët përballen gjithnjë e më tepër me rreziqet për jetën 1400 metra nën tokën e minierës së kromit. Kryebashkiaku i Bulqizës Roland Keta, i cili hyri si ndërmjetës në takimin e djeshëm të dështuar, bëri me dije se do të vijojë punën për një takim tjetër mes minatorëve dhe kompanisë koncensionare. Minatorët e Bulqizës vijojnë të kenë të njëjtat kërkesa për rritjen e pagës me 40%, përmirësimin e kushteve të punës dhe të sigurisë në minierë, uljen e moshës së pensionit, largimin e dy drejtuesve të minierës.


